Ndërlidhjet

UNMIK-u, ndërmjetësues me Interpolin


UNMIK-u ende shërben si urë lidhëse mes Kosovës dhe organizatave apo shteteve që nuk e njohin shtetin kosovar, siç është Interpoli. Ndërsa Policia e Kosovës konfirmon bashkëpunimin me UNMIK-un, MPB e hedh poshtë atë.


Bashkëpunimi i Kosovës me Interpolin vazhdon të bëhet vetëm përmes administratës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa autoritetet kosovare kërkojnë përmbylljen e plotë të këtij misioni, zyrtarë të OKB-së kanë nënshkruar një marrëveshje me Interpolin, për të zgjeruar bashkëpunimin në vendet ku kanë misione paqeruajtëse, përfshirë Kosovën.

Zyrtarët e Qeverisë nuk janë në dijeni për një marrëveshje të tillë. Fisnik Rexhepi, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, shpjegon më tepër:

“Nuk jemi të informuar për këtë marrëveshje. Ne synojmë që të anëtarësohemi në Interpol. Derisa të mos jemi anëtarë të Interpolit, do të vazhdojmë bashkëpunimin përmes EULEX-it. Ndërkohë, administrata e OKB-së, konsiderojmë se e ka përmbyllur mandatin e vet sa i përket fushës së sundimit të ligjit”.


Zëvendëssekretari i përgjithshëm për operacionet paqeruajtëse i OKB-së, Alen Le Roj, ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes me Interpolin, OKB do të ketë qasje në të dhënat dhe analizat e Interpolit, që do të ndihmojë në shpërbërjen e bandave kriminale në vendet si Kosova dhe Haiti, ku sundimi i ligjit, sipas tij, është i dobët.

Por, misioni i OKB-së nuk ka më policë në Kosovë. Rrjedhimisht, shpërbërja e atyre, që Roj i quan banda, duhet bërë ose nga Policia e Kosovës, ose nga ajo e EULEX-it. Në këtë rast, vihet në pikëpyetje vetë roli i UNMIK-ut.

“Ne i marrim kërkesat dhe i transferojmë nga njëra te pala tjetër, sepse, siç e dini, policët tanë nuk janë më operativë këtu. Misionin tonë mund ta quani edhe si një urë”.

“Në fakt, është zgjidhje praktike, sepse UNMIK ka nënshkruar marrëveshje me Interpolin, e cila mund të ndryshojë vetëm nëse Asambleja e Përgjithshme e Interpolit nënshkruan një marrëveshje tjetër me EULEX-in. Vetëm atëherë ne nuk do të ushtrojmë rolin aktual”,
thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki.

Në Zyrën Ndërlidhëse të Interpolit në Kosovë, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, punojnë më pak se 10 zyrtarë kosovarë. Informatat që Kosova i kërkon nga shtetet e ndryshme, apo ato që i kërkohen nga jashtë, nuk shkëmbehen në rrugë direkte.

“Deri më tani, Policia e Kosovës e ka shfrytëzuar lidhjen përmes UNMIK-ut, do të thotë zyrtarët tonë policorë punojnë në Zyrë të Interpolit bashkë me zyrtarët policorë të UNMIK-ut, që janë përgjegjës për informatat që hyjnë e dalin aty”, tregon Sadriu.

Por, ndërsa Policia e Kosovës konfirmon bashkëpunimin me UNMIK-un, zyrtarë të MPB-së këmbëngulin se komunikimi me Interpolin bëhet përmes EULEX-it. Kurse, vetë zyrtarët e misionit evropian pohojnë se aktualisht nuk kanë marrëveshje me organizatën ndërkombëtare policore.

Zëdhënësja Karin Limdal thotë se edhe më tej bashkëpunimi bëhet përmes Zyrës Ndërlidhëse të UNMIK-ut.

Fisnik Rexhepi ka një shpjegim tjetër për këtë.

“Në këtë rast vlen parimi që një marrëveshje vlen, derisa të nxirret një tjetër”, thotë Rexhepi, duke vlerësuar se EULEX mund të bashkëpunojë me Interpolin, bazuar në marrëveshjen Interpol-UNMIK, të nënshkruar në vitin 2002.

Rasell Giki hedh poshtë pretendimet e MPB-së se bashkëpunimi me Interpolin bëhet përmes EULEX-it.

“Ne jemi e vetmja palë në vend, që kemi marrëveshje me Interpolin. Por, në fakt, kjo nënkupton që përmes zyrës ndërlidhëse të Interpolit, ne shërbejmë si ndërmjetës mes Kosovës dhe Interpolit, me Policinë e EULEX-it apo me Policinë e Kosovës. Kjo varet nga kërkesa”, thotë Giki.

Në Singapor, nga 11 deri më 15 tetor, mbahet Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, por atje nuk është duke marrë pjesë asnjë delegacion kosovar.

Qeveria pranon se ndërsa nuk do të rritet numri i shteteve që njohin Kosovën, anëtarësimi në këtë organizatë do të jetë i vështirë.

Ndërkohë, mosqenia anëtare e kësaj organizate vlerësohet se Kosovës i ka shkaktuar dëme të mëdha. Një nga to është mungesa e fuqisë për të zhvleftësuar fletarrestimet e lëshuara nga Beogradi zyrtar për ish-pjesëtarët e lartë të UÇK-së.

Vetëm gjatë këtij viti kanë qenë disa raste të arrestimeve të shqiptarëve të Kosovës në vendet e huaja, përfshirë edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku. Ai, në muajin maj, u arrestua e më pas u dëbua nga Kolumbia.

Edhe autoritetet bullgare e arrestuan në bazë të fletarrestimeve serbe në qershor të këtij viti, për ta liruar pas disa ditësh të mbajtjes në paraburgim.
XS
SM
MD
LG