Ndërlidhjet

Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, ka kërkuar që etnitetet të kenë të drejtë kushtetuese për referendum mbi statusin.






Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, deklaroi se përfaqësuesve të SHBA-ve dhe BE-së u ka propozuar sot që në Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës të futet dispozita për të drejtën e entiteteve për referendum mbi statusin.

“Është e qartë se legalizimi i kësaj të drejte e nënkupton edhe pëlqimin e të tjerëve. Por, kjo është ajo që ne mendojmë se duhet të përfshihet në Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës”, tha Dodik, pas takimit me anëtarët e ekipit të ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Dodik tha se në takim është biseduar për funksionimin e Dhomës së Kuvendit të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës, duke bërë me dije se përfaqësuesit e SHBA-ve dhe BE-së propozojnë që ky institucion t’i humbë kompetencat ligjvënëse dhe të jetë “vend në të cilin mund të ngrihen mekanizmat për mbrojtjen e interesave jetike kombëtare”.

Dodik tha se është e papranueshme që Parlamenti i Bosnjës ta humbë pushtetin ligjvënës, si dhe Këshilli i Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës të shndërrohet në Qeveri të Bosnjë e Hercegovinës.

“Për ne është e pranueshme që të ekzistojë kryetari i Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës dhe ai të ketë detyrime protokollare, por Bosnjë e Hercegovina nuk mund të ketë qeveri dhe kryeministër. Askush në Republikën Serbe nuk duhet të ketë kurrfarë frike se do të ndodhë diçka që nuk është në vullnetin tonë”, tha Dodik.

Më 9 tetor, udhëheqësit e shtatë partive politike nga Republika Serbe dhe Federata e Bosnjë e Hercegovinës nuk nënshkruan kurrfarë dokumenti me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por vetëm u dakorduan që bisedimet të vazhdojnë më 20 tetor.
XS
SM
MD
LG