Ndërlidhjet

Enciklopedia nuk do të tërhiqet plotësisht, por vetëm do të ketë korrigjim në njësitë për shqiptarët, si dhe në disa pjesë të tjera, për të cilat, javëve të fundit, pati reagime të shumta në opinionin e këtushëm dhe atë të jashtëm, bëri të ditur kryetari i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, Georgi Stardellov, pas një debati treorësh të Akademisë.

“Na duhet një e ashtuquajtur forcë e re për të tejkaluar situatën; nuk do të tërhiqet Enciklopedia. Ne biseduam për gjithçka, por nuk kemi miratuar asnjë qëndrim. Disponimi në këtë moment është që të bëhet gjithçka që të tejkalohen të gjitha paqartësitë, të cilat shkaktuan tensione. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse bëhen ndërhyrje të caktuara, që shkaktuan animozitet ndaj Akademisë”, deklaroi Georgi Stardellov, kryetar i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë.

Gjatë tërë takimit, kryeredaktori i Enciklopedisë, Bllazhe Ristovski, ka marrë kritika serioze nga akademikët, të cilat kanë të bëjnë me mosbashkëpunimin e tij me shkencëtarët e bashkësive të tjera etnike.

“Gjithandej mbizotëroi fryma kritike, asnjë diskutues nuk tha që Enciklopedia nuk ka lëshime, që Enciklopdisë nuk duhet bërë kritika. Natyrisht, disa diskutime të akademikëve ishin shumë të ashpra, disa ishin më të buta dhe një pjese e diskutimeve të intononte andej që nuk duhet t’i jepet edhe një mandat kësaj redaksie pas gjithë asaj që prodhoi”, tha për Radion Evropa e Lirë akademiku shqiptar, Ali Aliu, duke nënvizuar se në mbledhjen e Akademisë së Shkencave nuk ka qenë e parashikuar të diskutohet shkarkimi i kryeredaktorit të Enciklopedisë, Bllazhe Ristovski dhe ekipit të tij.

Aliu tha se, për fat të keq, është krijuar përshtypja se dëshirohet në fund prapëseprapë të amnistohet kryeredaktori dhe anëtarët e redaksisë, kështu që t’i bëjnë këto korrigjime ato vetë.

“Është krejtësisht e palejueshme që për këtë redaksi, për të cilën unë them se do të duhet të kërkohet dhe një përgjegjësi, t’i jepet dhe një mandat, ngase në këtë përbërje kryetari i redaksisë, Bllazhe Ristovski, nuk mund të gjejë asnjë shqiptarë për bashkëpunim”, u shpreh akademiku shqiptar, Alai Aliu.

Se si do të bëhet korrigjimi i Enciklopedisë dhe cili do të jetë fati i Bllazhe Ristovskit dhe redaktorëve të tjerë të Enciklopedisë, do të dihet javën e ardhshme, për kur dhe është caktuar vazhdimi i mbledhjes së ASHM-së. Deri atëherë, përpiluesit e Enciklopedisë, e cila fyente shqiptarët, do të mbeten në krye të këtij projekti të debatueshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG