Ndërlidhjet

Obama: Qëllimi është të çrrënjosim Al Kaidën


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, tha se qëllimi kryesor në Afganistan është çrrënjosja e Al Kaidës dhe aleatëve ekstremistë të saj.





Presidenti Barak Obama dhe zyrtarët më të lartë të administratës do të bëjnë sot edhe një rishikim të strategjisë amerikane në Afganistan dhe në rajonin e Pakistanit.

Obama tha se pret që vendimin për dërgimin eventual të mijëra trupave shtesë amerikane në këtë vend, ta marrë në “javët e ardhshme”.

Ai tha se qëllimi kryesor i çdo politike të re do të jetë çrrënjosja e Al Kaidës dhe “aleatëve ekstremistë” të saj.

“Qëllimi ynë kryesor mbetet që ta çrrënjosim Al Kaidën dhe aleatët e saj ekstremistë, të cilët mund të ndërmarrin sulme kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Ky është misioni ynë kryesor".

"Ne po ashtu, qartësisht, jemi të interesuar për stabilitetin në rajon dhe kjo nuk e përfshin vetëm Afganistanin, por edhe Pakistanin. Në fund, ne shpresojmë që popujt e këtyre vendeve të jenë në gjendje të arrijnë paqen dhe stabilitetin”,
tha presidenti Obama.

Mbledhja e sotme në Shtëpinë e Bardhë do të jetë e pesta që kur Obama e nisi rishikimin e strategjisë. Përveç presidentit, në takim pritet të marrin pjesë nënpresidenti Xho Bajden, sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, si dhe zyrtarët më të lartë të ushtrisë dhe të zbulimit.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë thënë se rreth 68 mijë trupa amerikane pritet të vendosen në Afganistan deri në fund të këtij viti, përfshirë 21 mijë trupa shtesë, të cilat Obama urdhëroi të dërgohen atje në fillim të vitit.
XS
SM
MD
LG