Ndërlidhjet

Një fëmijë 17 vjeç, i braktisur nga prindërit, jeton në fshatin SOS-Kinderdorf, së bashku me disa fëmijë të tjerë. Sikurse dhe çdo moshatar i tij, edhe ky djalosh ka ëndrrat e veta. Ai dëshiron të bëhet psikolog.


“Jetoj në SOS-fshatin e fëmijëve. Kalojmë ditë të mira, është një ngrohtësi si e familjes. Kemi shokë e shoqe dhe u themi vëllezër e motra. Kemi aktivitete, kurse. Në kohen e lirë lexojmë, luajmë. Jam në klasën e 10-të, në Shkollën e Mesme ‘Sami Frashri’. Dua të studioj psikologjinë
”, thotë ai.

Në këtë fshat gjendet edhe një vajzë 17-vjeçare, e cila, së bashku me dy motrat dhe vëllain, kanë gjetur strehim në këtë institucion.

“Jam në SOS-fshatin e fëmijëve në Prishtinë. Ai u ofron fëmijëve të braktisur ushqim, strehim, veshmbathje. Po ashtu, edhe dashuri. Na shkollon. Kemi aktivitete të ndryshme. I kemi raportet e mira me sos-nënat, përkujdesen për ne, janë si nënat tona në njëfarë mënyre, na ofrojnë dashuri si prindër. Jemi tri motra e një vëlla biologjik. Jam në klasën e nëntë në shkollën ‘Gjergj Fishta’. Do të doja të bëhem farmaciste”,
shpreh dëshirën 17-vjeçarja.

Në SOS-Kinderdorf, fëmijëve të braktisur u ofrohet gjithçka e nevojshme për një jetë normale, thonë udhëheqësit e këtij institucioni. Drejtoresha nacionale e këtij fshati, Nezahate Salihu, shpjegon më shumë:

“SOS-fshati ka startuar menjëherë pas luftës. Me projekte ka filluar në vitin 2001. Në projektin sos-familja kemi fëmijë prej 3 deri në 18 vjeç. Këta fëmijë kanë sos-nënën, e cila jeton me ta dhe kujdeset. Edhe pse nuk është prind biologjik, në njëfarë mënyre ajo ua zëvendëson nënën. Përveç atmosferës familjare që ofrojmë, këta fëmijë shkojnë në shkolla publike, ndjekin kurse, që në të ardhmen të aftësohen për një jetë të pavarur”, thotë Salihu.

Ky fshat, sipas udhëheqësve, ka shënuar përparime në birësimin e fëmijëve të braktisur. Fitore Rexhaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se fëmijët pa prindër mund të adoptohen vetëm atëherë kur prindërit adoptues plotësojnë kushtet, të cilat ky departament i cakton.

“Për rritjen dhe mirëqenien e fëmijës, vlerësimi bëhet nga qendra për punë sociale; bëhet vlerësimi i përshtatshmërisë së familjeve potenciale adoptuese. Aty vlerësohen kushtet ekonomike, lidhjet emocionale, dëshira për të pasur fëmijë, e shumë rrethana tjera që vlerësohen nga qendra për punë sociale për adoptimin e një fëmije”, tregon Rexhaj.

Këto kritere duket se kanë qenë jo të pamundshme për t’u përmbushur, duke marrë parasysh numrin e fëmijëve të birësuar vetëm nga fshati SOS.

Në këtë institucion pohojnë se që prej hapjes së tij, 400 fëmijë të braktisur janë adoptuar dhe 26 fëmijë të moshës nga 3 deri në 18 vjeç jetojnë tani në këtë institucion. Madje, të njëjtit pohojnë se që prej përfundimit të luftës e deri më sot, ka pasur më shumë kërkesa për birësim, se që ka pasur fëmijë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG