Ndërlidhjet

Kush po i largon investitorët nga Kosova?


Mungesa e investimeve të jashtme në Kosovë ndodh kryesisht për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit në vend, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë.




Klubi për Politikë të Jashtme publikoi, ditë më parë, një hulumtim lidhur me ndikimin e korrupsionit në tërheqjen e investitorëve të jashtëm në Kosovë.

Përfaqësuesi i Klubit për Politikë të Jashtme, Yll Hoxha, thotë se përmasat shqetësuese të korrupsionit, të evidentuara në raportin e fundit të kësaj organizate, përfundimisht dëmtojnë gjasat që Kosova të vlerësohet vend potencial dhe atraktiv për zhvillim të biznesit.

Krahasuar me vendet e rajonit, sipas Hoxhës, Kosova nuk ka mundur ta zë hapin në nxitjen e investitorëve të huaj.

“Teza themeltare e këtij raporti konstaton që korrupsioni po e dëmton procesin e tërheqjes së investitorëve në Kosovë. Përmes këtij raporti mundohemi që të argumentojmë se kjo dukuri është shfrenuese për zhvillimin e Kosovës”.


“Investimet e huaja kanë rënë në dy vjetët e fundit dhe tregojnë tendenca të kundërta me rajonin. Kjo duhet të jetë indikator shqetësues për vendin dhe institucionet, të cilat duhet të krijojnë një ambient të rregullt”,
thotë Hoxha.

Mirëpo, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, shkalla e korrupsionit nuk mund të jetë pengesa kryesore për nxitjen e investimeve nga jashtë.

Ekzistimi i kësaj dukurie nëpër institucione të ndryshme të Kosovës, sipas tyre, mund ta dëmtojë imazhin e Kosovës si shtet me sundim të plotë të ligjit.

Kushtet, të cilat kompanitë e interesuara ndërkombëtare për biznese i vlerësojnë më tepër, siç thonë ata, kanë të bëjnë me infrastrukturën ekzistuese për zhvillimin e një biznesi.

Shefi i divizionit për zhvillim ekonomik në UNDP, Artan Loxha, mendon se arsyet kryesore pse deri më tani Kosova ka ngecur në nxitjen e investimeve nga arena ndërkombëtare, kishin të bënin me statusin e pazgjidhur politik, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë, sipas tij, as shteti i Kosovës nuk është kursyer nga ndikimet e krizës ekonomike globale.

“Arsyeja kryesore pse në Kosovë nuk kanë ardhur investime nga jashtë, është fakti se Kosova ka probleme strukturore”.


“Në mënyrë eksplicite them se debati nuk mund të reduktohet në atë se korrupsioni ka qenë arsyeja kryesore pse investimet nuk kanë ardhur, apo investitorët po e lënë Kosovën”,
thotë Loxha, duke theksuar nevojën për përmirësime, sidomos në sektorin e kapitalit njerëzor, në mënyrë që edhe Kosova të prodhojë kuadro profesionale konkurrente në rajon dhe më gjerë.

Ndërkaq, Armend Muja, profesor në Institutin për Studime Ekonomike dhe Sociale “Universum”, thekson se krijimi i ambientit, ku sundon ligji, është ndër parakushtet për tërheqjen e investimeve direkte.

“Ekziston një indeks; në atë indeks përfshihet afërsia gjeografike e një vendi, që ndikon në faktorët kryesorë që ndikojnë në investimet e jashtme. E dyta është sundimi i ligjit, kostoja e fuqisë punëtore dhe fuqia e institucioneve për të implementuar rregullat ekonomike”,
thekson Muja.

Ekspertët e ekonomisë njëkohësisht mendojnë se një ekonomi importuese, e mbijetuar nga remitencat dhe ndihmat e jashtme, është e predestinuar të jetë e paqëndrueshme.

Zgjidhja e vetme, sipas tyre, mbetet tërheqja e investitorëve
XS
SM
MD
LG