Ndërlidhjet

Ren: Me Kosovën, vizat e tregtinë


Bruksel
Bruksel

“Komisioni Evropian është i detyruar të punojë në parimin e qëndrimit neutral rreth statusit. Në kontekstin e përgjithshëm, stabiliteti i Kosovës është ruajtur, por ai mbetet fragjil”, ka thënë eurokomisioneri Oli Ren.



Komisioni Evropian ka prezantuar sot në Bruksel raportet e progresit për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së, përfshirë edhe Kosovën.

Po ashtu, sot është prezantuar edhe një studim për rrugën e Kosovës në afrimin me BE-në, me të cilin Komisioni propozon ngritjen e raporteve mes Kosovës dhe BE-së në një nivel më të largët, por nuk ka propozuar rrugën e njëjtë sikur për vendet tjera.

Komisioni ka propozuar që të hapet një i ashtuquajtur dialog i procesit të stabilizim-asociimit dhe që për Kosovën të ketë një të ashtuquajtur marrëveshje tregtare.

Por, rreth marrëveshjes tregtare, Komisioni thotë se Kosova nuk i përmbush ende kushtet për të negociuar një marrëveshje të tillë.

Në pyetjen e gazetarëve se a është mundur të propozohet diçka më konkrete për Kosovën, ngjashëm me ato të vendeve tjera të rajonit të Ballkanit, komisionari i zgjerimit, Oli Ren, ka thënë:

“Ne po përballemi me një situatë ku 22 shtete e kanë njohur Kosovën, ndërsa pesë nuk e kanë bërë këtë dhe kjo do të thotë se Komisioni Evropian është i detyruar të punojë në parimin e qëndrimit neutral rreth statusit”.

“I kemi kushtuar një vëmendje të posaçme Kosovës këtë vit. Në kontekstin e përgjithshëm, stabiliteti i Kosovës është ruajtur, por ai mbetet fragjil”,
ka thënë Oli Ren.

Sipas tij, Kosovës i mbeten shumë sfida dhe ka nevojë për një qasje me konstruktive edhe ndaj bashkëpunimit rajonal.

Komisionari Ren, më tej, ka thënë se konkluzionet e Këshillit të BE-së para një viti, i kishin dhënë bazë ligjore Komisionit që të studiojë dhe propozojë rrugët për të mobilizuar instrumentet e BE-së, për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës.

“Në rastin e Kosovës, ne kemi dy çështje kryesore: vizat dhe tregtinë”, ka thënë Oli Ren, duke shtuar se sa u përket vizave, “Komisioni propozon një proces, të cilin BE e quan të strukturuar dhe në faza, qëllimi eventual i të cilit është liberalizimi i vizave, me kusht që të ndërmerren reformat dhe të përmbushen kriteret nga ana e Kosovës”.

“Kur Kosova t’i përmbushë kushtet relevante, do të mund të ketë një propozim të Komisionit edhe për të negociuar marrëveshjen tregtare”, ka thënë Oli Ren.

Ai ka thënë se këto propozime që i ka dhënë sot Komisioni Evropian, nuk janë të parëndësishme.

Ndërkohë, në raportin për Kosovën përmendet se është arritur njëfarë përparimi në fushën e legjislacionit, por se ka mangësi në implementim.

Në raport kritikohen autoritetet e Kosovës për mungesë të një lufte më të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për ndërhyrje politike në sistemin gjyqësor, në media dhe në emërimet në postet kyçe në shërbimet civile.

Po ashtu, thuhet se korrupsioni, krahas ekonomisë joformale, paraqitet edhe si pengesë e zhvillimit të ekonomisë në Kosovë.

Korrupsioni përmendet si problem sidomos në prokurimin publik në Kosovë, ku thuhet se është bërë keqësim i situatës në krahasim me një vit më parë dhe se tenderët ndahen në mënyrë shumë jotransparente.

Sa i përket situatës në Kosovë, Komisioni Evropian, në raportin për Serbinë thekson se Qeveria e Serbisë vazhdon të mbajë institucionet paralele në Kosovë dhe se ka organizuar zgjedhje atje, që, sipas Komisionit Evropian, është në kundërshtim edhe me Rezolutën 12 44.

Komisioni thotë se Qeveria e Kosovës nuk ushtron pushtetin në tërë territorin e Kosovës, duke përmendur këtu veriun e Kosovës. Prandaj, u bën thirrje autoriteteve kosovare që të bëjnë më shumë edhe për integrimin e serbëve, të cilëve u bën ftesë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.
XS
SM
MD
LG