Ndërlidhjet

Gjermania kthen 14 000 kosovarë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Parlamentarë gjermanë kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë, duke theksuar se Kosova nuk është vend i sigurt, veçanërisht për pakicat. Shumica e atyre që do të kthehen i përkasin komunitetit rom.




Gjermania synon të riatdhesojë 14 mijë refugjatë nga Kosova.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, Stefan Paris, deklaroi se Gjermania ka për qëllim të nënshkruajë një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për të mundësuar kthimin e organizuar të këtij kontingjenti.

Qëllim tjetër i marrëveshjes me Prishtinën zyrtare është dhe garantimi i të gjitha standardeve për të drejtat e njeriut për të kthyerit, thanë burimet pranë Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë.

Këto të fundit theksuan se planifikojnë të kthejnë rreth 2500 persona në vit. Vitin e kaluar janë kthyer 900 kosovarë nga Gjermania.

Vendimi i Qeverisë gjermane ka hasur në kundërshtimin e përfaqësuesve të opozitës.

Anëtarja e parlamentit, Ulla Jelpke, përfaqësuese e së majtës, tha se rreth 10 mijë persona nga kontingjenti që pritet të kthehet, janë romë. Kthimi i tyre në Kosovë paraqet rrezik për ta, theksoi Jelpke.

“Kosova është një vend ku pakicat janë thellësisht të diskriminuara dhe persekutohen”,
tha parlamentarja Jelpke.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR, pas vizitës në rajon, disa muaj më parë, tha se ende ekziston mundësia e tensioneve etnike, kurse kushtet e jetesës janë shumë të vështira.

Pak javë më parë në Kosovë janë kthyer disa dhjetëra strehimkërkues nga Gjermania, shumica e të cilëve i përkisnin komunitetit rom.

Përfaqësuesit e kësaj bashkësie përsëritën se nuk janë kushtet për kthim. Si pengesa kryesore ata theksojnë vështirësitë ekonomike dhe mungesën e strehimit.


Gjermania i paguan çdo të kthyeri 750 euro, përveç shpenzimeve të udhëtimit.

XS
SM
MD
LG