Ndërlidhjet

Pse vajti Klinton në Kazan?


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë vizitës në Tataristan
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë vizitës në Tataristan

Vizita e sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, në Kazan, kryeqendra e Tataristanit, shihet si përpjekje për ta parë Rusinë përtej Moskës. Tataristani është një nga republikat e Federatës Ruse.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në Tataristan, rajon me shumicë myslimane. Burimet e Departamentit të Shtetit pohuan se vizita synon të nënvizojë bashkëpunimin ndërfetar.

Zonja Klinton bisedoi me udhëheqësit fetarë të rajonit. Ngushtimi i dallimeve mes besimeve fetare ishte në qendër të takimit.

Për analistët, vizita e Klintonit është pjesë e diplomacisë së re të Uashingtonit, që ka shumë anë, e që dëshiron ta dërgojë mesazhin përtej Kremlinit.

Strategjia e re filloi me vizitën e presidentit Obama në Moskë në verën e këtij viti, thotë Stiven Pifer, ish-diplomat amerikan i specializuar për Rusinë.

“Kjo vë në pah faktin se administrata nuk bisedon thjesht me Qeverinë në Moskë, por përfshin në dialog një spektër më të gjerë. Klinton synon të tregojë se pjesë e qasjes ndaj Rusisë është përfshirja e një pjese sa më të madhe të shoqërisë”.

“Të njëjtën gjë bëri dhe presidenti Obama kur, në korrik, mori pjesë në takimin e shoqërisë civile”,
thotë Pifer.

Tataristani është një rajon i pazakontë për Rusinë. Sipas regjistrimit të fundit, 52.9% e popullsisë janë tatarë myslimanë, kurse 39.5% janë ortodoksë rusë.

Nikolas Gvosdev, ekspert i çështjeve ruse dhe i sigurisë në Shtetet e Bashkuara, pohon se nga vizita e Klintonit, administrata Obama do të përfitojë për një hapje më të madhe ndaj botës myslimane.

“Jam i sigurt se vizita është përpjekje që lidhet me bashkekzistencën mes myslimanëve e të krishterëve në Kazan. Ky është një element që presidenti Shaimijev dëshiron ta vërë në pah. Kemi të bëjmë me një islam të evropianizuar, perëndimor”, thotë Gvosdev.

Edhe banorët e Kazanit mendojnë se tradita e tyre e bashkjetesës është një element që ia vlen për t’ia treguar botës.

“Kazani është qytet shumëetnik. Besime të ndryshme fetare jetojnë në paqe. Ne i festojmë festat së bashku. Këtu sheh kreun e kishës ortodokse, imamin dhe rabinin të ecin së bashku në rrugë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mirgalim, një banor 63- vjeçar i Tataristanit.

Me gjithë bashkjetesën, jo gjithçka është kaq e lehtë. Presidenti i Tataristanit është përpjekur të ketë një kurs politik të pavarur nga Moska për republikën e pasur me naftë e gaz.

Ndonëse gëzon një shkallë autonomie, Kremlini përpiqet të ketë kontroll në Tatristan. Së fundi, e ka detyruar republikën në fjalë ta bëjë rusishten gjuhë zyrtare dhe të japë mësime mbi kulturën ortodokse në shkollat publike.

Në mesin e banorëve të Kazanit nuk kanë munguar zërat që kërkojnë ndihmën amerikane në raport me Moskën.

“A është e informuar Klintoni rreth abuzimeve me të drejtat e njeriut në Rusi? A është e informuar sekretarja e Shtetit për Ligjin e ri për arsimin, që nuk i lejon fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare? Nëse ajo i di të gjitha këto, çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara?”, pyet në mikrofonin e REL, Bajramova, banore e Kazanit.

Por, eksperti Pifer thotë se vizita e Klintonit në Kazan nuk është bërë në kundërshtim me Kremlinin.

Gjatë vjetëve të fundit kryeqendra e Tataristanit është përjekur të rrisë profilin e të jetë aktive në botë. Madje, banorët nuk ngurojnë ta vënë Kazanin në rradhën e Moskës dhe Shën Petërsburgut.

“Shkencëtarët amerikanë, që vizituan Kazanin, thanë se iu ka bërë përshtypje stabiliteti i rajonit dhe islami tolerant. Nëse i përmblidhni të gjitha, Kazani është kryqendra e tretë e Rusisë”, thotë Rafael Khakimov nga Akademia e Shkencave e Tataristanit.

I.B.
XS
SM
MD
LG