Ndërlidhjet

Propozimet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, tregtinë dhe asociim-stabilizimin me Kosovën, pritet të miratohen në dhjetor, tha Pier Mirel, zyrtar i BE-së për Ballkanin Perëndimor.




Komisioni Evropian ia konfirmoi Kosovës propozimin për fillimin e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, përfshirjen në marrëveshjet tregtare në zonën e BE-së, si dhe bisedimet në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit.

Këto qëndrime u konfirmuan, sot në Prishtinë, nga Drejtori për Zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel, i cili ua dorëzoi krerëve të institucioneve të Kosovës raportin e progresit dhe studimin e fizibilitetit për Kosovën.

Pier Mirel pohoi se të 27 vendet anëtare të BE-së, me konsensus janë pajtuar që të fillohet dialogu për liberalizimin e vizave dhe marrëveshjeve të tjera me Kosovën.

Ai, megjithatë, tha se ky është një proces i gjatë dhe se Kosovës i duhet t’i përmbushë të gjitha kriteret si edhe vendet tjera, para se të përfshihet në zonën e Shengenit, apo në marrëveshjet tjera me BE-në.

“Procesi i liberalizimit të vizave, apo ai i marrëveshjeve tregtare, janë procese të gjata e komplekse, ku paraqiten shumë kushte e kritere të rëndësishme, të cilat duhet të përmbushen”.tha Mirel.

Para së gjithash, ai kërkoi që Kosova të lëshojë dokumente identifikimi të sigurisë së lartë, pasaporta biometrike, t’i nënshkruajë dhe t’i zbatojë marrëveshjet e riatdhesimit, si dhe t’i menaxhojë kufijtë e saj shtetërorë.

Mirel, u shpreh i bindur se propozimet e studimit të fizibilitetit për nisjen e dialogut Prishtinë-Bruksel, do të miratohen nga Bashkimi Evropian, pavarësisht faktit se pesë vende anëtare ende nuk e njohin Kosovën.

Ai tha, po ashtu, se Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë institucionet në punën e madhe që i pret, duke filluar nga legjislacioni e deri tek implementimi i ligjeve.

Nxjerrja strategjive dhe ligjeve, me të cilat Kosova synon ta luftojë krimin e organizuar e korrupsionin, sipas Mirelit, është puna më e lehtë, por zbatimi i tyre paraqet punën kryesore në mënyrë që Kosova të konstatojë se do të shënojë progres në fushat e sundimit të rendit dhe ligjit, ku, sipas raportit, konstatohen lëshime dhe të meta të mëdha.

“Një çështje tjetër, që për fat të keq është e pranishme në gjithë rajonin, është korrupsioni. Në Kosovë plani i veprimit dhe strategjia janë miratuar, por ato duhet të zbatohen në mënyrë që të konstatohet progresi në luftën kundër këtyre dukurive”,
theksoi Pier Mirel.

Raporti i progresit dhe sidomos studimi i fizibilitetit, me të cilin propozohet që Kosova ta fitojë të drejtën e dialogut me BE-në, është përshëndetur nga kryeministri Hashim Thaçi.

Ai e quajti këtë si ditë historike për Kosovën. Ndërkaq, vërejtjet e shumta të Brukselit për mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, Thaçi i quajti si shqetësime edhe të Qeverisë së tij.

Ai u zotua se Qeveria do t’i zbatojë të gjitha kërkesat e BE-së, në mënyrë që edhe Kosova, në rrugën e saj të gjatë që ka para vetes, një ditë të jetë pjesë e integruar e familjes evropiane.

“Kjo është një e arritur historike e Republikës së Kosovës, e punës së përbashkët që kemi bërë si institucione të Kosovës, me rekomandimet dhe këshillat”.

“Luftimi i dukurive negative ka qenë prioritet i yni që nga dita e parë, qoftë e korrupsionit, krimit të organizuar, strukturave paralele, ekstremistëve dhe elementeve tjera që kanë ndikuar në një percepcionin jo edhe aq të mirë për vendin tonë”,
theksoi Thaçi.

Ndryshe, raporti i progresit i Komisionit Evropian konstaton lëshime të shumta edhe në fushën e prokurimit dhe të administratës publike.

Kurse, për herë të parë evidenton rolin jo konstruktiv të Serbisë dhe mbajtjen në jetë të strukturave paralele në Kosovë.

Drejtori për Zgjerim, Pier Mirel, tha se Komisioni Evropian është në gjendje të ofrojë një ndihmë të plotë për Kosovën, por puna më e madhe në zbatimin e kritereve që e çojnë Kosovën në BE, bie mbi vetë institucionet e këtij vendi.



“Këto procese kërkojnë durim, punë dhe institucione të përkushtuara në përmbushjen e kritereve”,

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG