Ndërlidhjet

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Prishtinë, drejtori për zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel, ka lavdëruar përparimet e bëra në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit Kosovë - Maqedoni.


Me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë, Kosova ka dhënë një shembull të bashkëpunimit rajonal, si një prej kushteve që Brukseli i kërkon në proceset integruese, ka thënë sot në Prishtinë, drejtori për zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel.

Pasi ka dorëzuar dje raportin e progresit dhe atë të studimit të fizibilitetit për Kosovën, Mirel sot ka zhvilluar takime me udhëheqës e përfaqësues politikë në Prishtinë.

Ai edhe sot ka përsëritur propozimet e Komisionit Evropian për perspektivën e qartë evropiane për Kosovën. Mirel ka përshëndetur sidomos përparimet e bëra në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit Kosovë - Maqedoni.

“Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal, siç e kemi përmendur edhe në dokumentin strategjik, është çështje kyçe për Ballkanin Perëndimor dhe është marrëveshja e parë ndërmjet shteteve të Ballkanin. Ne tash shpresojmë të jetë shembull edhe për vendet tjera”, ka thënë Mirel.

Ai u ka bërë thirrje sërish institucioneve të Kosovës që pas miratimit të ligjeve e strategjive për luftimin e krimit, korrupsionit e dukurive tjera negative, t’i zbatojnë ato në praktikë, pasi që vetëm si norma ligjore nuk mund të sjellin rezultate që kërkohen.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi e ka përshëndetur edhe një herë raportin e progresit dhe studimin për Kosovën, duke vlerësuar se propozimet për përfshirjen e Kosovës në dialogun me BE-në, paraqesin një ngjarje të veçantë për vendin.

“Mendoj se raporti i progresit është një raport i vlerësimit real dhe i hapjes së perspektivës së sigurt evropiane për Kosovën, si për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

Po në funksion të përmbushjes së kritereve evropiane, sidomos atyre që kërkohen për liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot udhërrëfyesin e saj për këtë qëllim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka thënë se ky udhërrëfyes do të fillojë të zbatohet shumë shpejt, në mënyrë që të shkurtohet rruga e Kosovës për në zonën e Shengenit.

“Nuk ka asnjë pikë që kërkohet si kriter, në të cilën Kosova nuk është e përfshirë apo nuk është në proces. Jemi në proces të mirë në sigurinë e dokumenteve, jemi në proces të mirë në politikat e azilit, në menaxhimin e kufirit, në menaxhimin e migrimit, në mbrojtjen e të dhënave. Ju e dini, kemi miratuar edhe një projektligj, të cilin e kemi proceduar në Kuvend”, ka theksuar Pajaziti.

Sidoqoftë, propozimet e Komisionit Evropian përmes studimit për Kosovën, sipas Pier Mirelit, pritet të miratohen nga Brukseli, gjatë dhjetorit.

Me këto propozime, Kosovës i hapet perspektiva e fillimit të bisedimeve për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, marrëveshjeve tregtare me BE-në, si dhe në bisedimet në kuadër të stabilizim - asociimit.

Mirëpo, ishte vetë Pier Mirel, i cili tha se para se Kosova të mund t’i nisë këto procese me BE-në, duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret e parapara, siç i kanë plotësuar edhe vendet tjera.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG