Ndërlidhjet

Rruga drejt perspektivës evropiane


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Nëse shtetet e rajonit nuk do të kenë sukses në zbatimin e ligjeve për luftimin e krimit, as ne s’do të kemi sukses ta promovojmë idenë që rajoni duhet të bëhet pjesë e BE-së, tha Pier Mirel, drejtor për Ballkanin në Komisionin Evropian.



Kosova, si edhe vendet tjera të rajonit, duhet ta fitojë betejën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i zbatuar ligjet dhe strategjitë në fuqi, tha sot sërish, drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pier Mirel.

Gjatë një debati për raportin e progresit dhe atë të studimit për Kosovën, të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, Mirel e cilësoi si shumë të rëndësishëm faktin se në Kosovë është ruajtur stabiliteti dhe rendi, ndërkaq ka kërkuar angazhim në fushën e sundimit të ligjit, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Është e qartë se, nëse shtetet në gjithë rajonin nuk do të kenë sukses në zbatimin dhe forcimin e ligjeve dhe strategjive për luftimin e krimit, as ne nuk do të kemi sukses për ta promovuar idenë që rajoni duhet të bëhet pjesë e BE-së”, tha Mirel.

Ajo që tash i duhet Kosovës, theksoi Mirel, është që, nga hartimi e miratimi i ligjeve, të kalohet në zbatimin e tyre, ngase në të kundërtën ato nuk prodhojnë efekte.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, e vlerësoi real raportin e progresit. Ai u zotua se Qeveria do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin si sfida nga ky raport.

“Ato gjetje do t’i marrim si reflektim për përmbushjen e tyre dhe sa herë që ne e quajmë raportin real, kjo nënkupton se gjendja është e tillë dhe ne duhet të ndërmarrim masa adekuate për plotësimin e këtyre sfidave që dalin përpara”, theksoi Kuçi.

Në anën tjetër, me një qëndrim tejet kritik u paraqit kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai falënderoi Bashkimin Evropian që nuk e dënoi popullin e Kosovës për shkak të papërgjegjësisë, siç tha ai, totale të Qeverisë së Kosovës dhe pavarësisht keqqeverisjes, i ka dhënë rast Kosovës që të ketë një perspektivë të qartë evropiane.

“Ne po shohim se Qeveria e Kosovës ndërtimin e kapaciteteve dhe vlerave fundamentale të shtetit po i ndërton në praktika e fenomene që nuk përkojnë me vlerat dhe parimet e lirisë dhe demokracisë”.

“Në raport thuhet se ndërtimi i kapaciteteve është kryesisht i politizuar, marrë shembull arsimin, ku nuk është me rëndësi aftësimi dhe edukimi i brezave, por e rëndësishme është përkatësia partiake”,
tha Haradinaj.

Gjatë debatit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, tha se Kosova ka bërë një përparim të dukshëm drejt përafrimit me standardet evropiane.

Ai, po ashtu, theksoi se raporti i fundit nuk duhet të jetë ndonjë arsye për të rënë në depresion, por vetëm kërkohet angazhim dhe punë për përmbushjen e objektivave.

Kurse, drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, tërhoqi vërejtjen se me një qeverisje të tillë, Qeveria e Kosovës rrezikon, siç u shpreh ai, të shndërrohet në Qeveri uzurpuese të të drejtave dhe lirive.

“Me trendet negative, brengosëse me kontrollin mbi mediat, administratën publike, apo presionin dhe kontrollin mbi gjyqësinë, me mosluftimin e korrupsionit, atëherë kemi të bëjmë me një proces që rrezikon që qeverisjen në Kosovë ta vlerësojë si një qeverisje uzurpuese të të drejtave dhe lirive”.

“Dhe, ky është trendi, i cili ecën; nuk them se kemi mbërritur në atë pikë, them se ky është trendi i cili ecën”,
theksoi Surroi.

Sidoqoftë, propozimet e Komisionit Evropian përmes studimit për Kosovën, sipas Pier Mirelit, pritet të miratohen nga Brukseli gjatë dhjetorit.

Me këto propozime, Kosovës i hapet perspektiva e fillimit të bisedimeve për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, marrëveshjeve tregtare me BE-në, si dhe bisedimeve në kuadër të stabilizim–asociimit.

Mirëpo, ishte vetë Pier Mirel, i cili tha se, para se Kosova të mundë t’i nisë këto procese me BE-në, duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret e parapara, siç i kanë plotësuar edhe vendet tjera.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG