Ndërlidhjet

logo-print

Di Karlo: Kosova duhet të veprojë e pavarur


Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Rozmari di Karlo, përshëndeti rolin e UNMIK-ut, por vlerësoi se në planin ndërkombëtar Kosova duhet të veprojë e pavarur.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ambasadorja Di Karlo e theksoi rëndësinë e zgjedhjeve në Kosovë dhe shfaqi keqardhje për qëndrimin e shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, se Beogradi nuk do të mbështesë daljen e serbëve në zgjedhje.

Zonja Di Karlo tha se Kosova ka bërë përparim të madh, duke përkujtuar njohjen nga 62 shtete dhe anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Ambasadorja amerikane në OKB tha se SHBA-të do ta mbështesin hyrjen e Kosovës, Serbisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe rrugën e tyre drejt integrimeve euroatlantike.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili mori pjesë në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurimit, ku u shqyrtua raporti i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Mun, e vlerësoi stabile gjendjen në Kosovë. Ai akuzoi Beogradin se po minon përpjekjet e Prishtinës për integrimin e serbëve të Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se mirëqenia e komuniteteve pakicë dhe kthimi i të zhvendosurve janë ndër prioritetet e shoqërisë kosovare.

“Ne presim një pjesëmarrje të konsiderueshme të komunitetit serb në zgjedhje, sepse jemi të bindur se kjo është në interesin më të mirë të popullatës serbe, pra të marrin pjesë në përcaktimin e fatit dhe interesit të tyre”, tha Hyseni.

Por, shefi i misionit të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitalij Çurkin, tha se deklaratat e ministrit të Jashtëm të Kosovës për përparimin në Kosovë dallohen shumë nga gjendja në terren.

Duke folur pas raportit të sekretarit të përgjithshëm, Çurkin tha se Rezoluta 1244 ende mbetet në fuqi dhe me të definohet statusi i Kosovës.

Çurkin gjithashtu i cilësoi si të papranueshme thirrjet e autoriteteve të Prishtinës për reduktimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
XS
SM
MD
LG