Ndërlidhjet

Pakti Molotov-Ribentrop ende ndan Evropën


Nënshkrimi i Paktit Molotov-Ribentrop, 23 gusht 1939.
Nënshkrimi i Paktit Molotov-Ribentrop, 23 gusht 1939.

Shtatëdhjetë vjet pasi Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste e nënshkruan paktin Molotov-Ribentrop, roli i traktatit që nxiti Luftën e Dytë Botërore dhe ndarjen e Evropës, vazhdon të mbetet shumë i diskutueshëm.


Opinionet janë të ndara madje edhe në mesin e akademikëve dhe politikanëve, të cilët, megjithatë, bien dakord në një pikë, se zbardhja e krimeve sovjetike është pjesë qenësore e shërimit të plagëve historike të Evropës.

“70 vjet pas Paktit Molotov-Ribentrop” ishte titulli i konferencës, që këtë javë u organizua në Bruksel. Në tubimin ku sponsorë kryesorë ishin vendet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, duhej të diskutohej fati i këtyre vendeve, të cilat, bashkë me Poloninë, Rumaninë dhe Finlandën, u zhveshën nga shtetësia e tyre dhe morën statusin e piunëve në planet e dy fuqive të mëdha të Evropës, në vitin 1939.

Pamjet e kryqit të thyer në ekranin e madh mbi yllin e kuq sovjetik i pasqyruan pikëpamjet e qeverive baltike.

Ato, së bashku me Poloninë, një kohë të gjatë kanë nisur një fushatë për ta bindur pjesën tjetër të Evropës, se Bashkimi Sovjetik ka përgjegjësinë e njëjtë me Gjermaninë naziste për mjerimet që pllakosën kontinentin si rezultat i Luftës së Dytë Botërore.

Historiani Egbert Jan, nga Universiteti Majnheimset, pohon se rezultatet e Konferencës së Jaltës, në vitin 1945, në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Britania e plotësuan kërkesën e sovjetikëve për të ndarë Evropën e pasluftës, nuk burojnë drejtpërdrejt nga pakti Molotov-Ribentrop.

Jan thotë se Jalta e pasqyron faktin se Armata e Kuqe tashmë kishte pushtuar pjesët më të mëdha të asaj që pastaj do të quhej Blloku Sovjetik.

“Kritikët e shohin rregullimin e Evropës së pasluftës në Jaltë si tradhti të parimeve të ligjit të brendshëm, të lirisë dhe të demokracisë nga ana e fuqive perëndimore, duke pohuar se ka pasur zgjidhje alternative politike”.
“Por, është vështirë të gjenden kundër-argumente realiste. Bashkimi Sovjetik, jo vetëm që e mbajti barrën më të madhe të luftës prej vitit 1941, por trupat e tij gjithashtu pushtuan pjesët më të mëdha të Evropës Qendrore e Lindore dhe të Gjermanisë”,
thotë Jan.

Por, historianët francezë e ndajnë fajin ndërmjet Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Stefani Kortoa, nga Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, thotë se nuk mund të ketë “ribashkim të vërtetë të Evropës, përderisa të arrihet pajtimi, ku do të pranoheshin gabimet e së shkuarës”.

Fransoa Tom, nga Universiteti i Sorbonës, thotë se Moska vepron sipas një doktrine “neo-sovjetike”, e cila synon të shkarkojë Bashkimin Sovjetik nga i gjithë faji.

Moska e paraqet paktin Molotov-Ribentrop si hap “mbrojtës”, që doli si nevojë nga politikat e fuqive të Perëndimit për zbutjen e Gjermanisë në vitin 1938.

“Interpretimi neo-sovjetik i marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938 thotë se me atë traktat, imperialistët formuan një front të përbashkët kundër Bashkimit Sovjetik. Kjo është tezë e Leninit, sipas të cilit, imperialistët kanë tendencë të bashkohen përgjatë vijave të interesit klasor”, thotë Tom.

Ish-kryetari i Parlamentit të Evropës, konservatori gjerman, Hans Georg Potering, thotë se nazizmi dhe komunizmi janë forma të njëjta çnjerëzore të totalitarizmit.

“Të dyja ideologjitë totalitare e shkatërruan dinjitetin e njeriut, dinjitetin e qenies njerëzore. Ato janë të liga për nga natyra”, shprehet Potering.

Sipas tij, pakti Molotov-Ribentrop ishte i veçantë në mospërfilljen e moralit dhe të standardeve të pranuara të etikës.

V.P.
XS
SM
MD
LG