Ndërlidhjet

Shkup: Këshilli i Sigurisë me një shqiptar


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Këshilli i Sigurisë kombëtare në Maqedoni ka mbetur me vetëm një shqiptar, pas vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov që një anëtar shqiptar ta zëvendësojë me një të nacionalitetit turk. Ekspertët thonë se presidenti ka shkelur Kushtetutën, ndërsa opozita kërkon nga drejtuesit e institucioneve shtetërore t’i japin fund praktikës së margjinalizimit të shqiptarëve dhe shkeljes së parimeve të Marrëveshjes së Ohrit.



Nga 9 anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë, vetëm një është shqiptar, për dallim nga periudha e deritanishme, kur shqiptarët në këtë organ të lartë shtetëror përfaqësoheshin me dy anëtarë.

Vendimi për këtë është marrë nga presidentit i shtetit, Gjorgje Ivanov, i cili vendin e një anëtari shqiptar të këshillit e ka zëvendësuar me një pjesëtar të nacionalitetit turk.

Veli Kreçin, i nacionalitetit turk, është emëruar në vend të Ymer Selmanit, i cili për anëtar ishte zgjedhur derisa ishte zëvendëskryeministër.

Nga kabineti i presidentit thonë se kanë vepruar në përputhje me Kushtetutën, e cila, siç thonë, lejon që nga tre propozimet që i takojnë presidentit, dy të jenë nga radhët e bashkësive etnike joshumicë.

Por, ekspertët për çështje juridike thonë se presidenti ka shkelur Kushtetutën, pasi të paktën dy nga tre anëtarët që propozohen prej tij, duhet të jenë shqiptarë.

Këtë, në mënyrë të prerë, nuk e thotë Kushtetuta, por, sipas ekspertit Osman Kadriu, nënkuptohet se ata duhet të jenë shqiptarë, pasi këtë e parasheh edhe Marrëveshja e Ohrit, si obligim për të arritur përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Kushtetuta këtë nuk e thekson, por kjo buron nga ato dispozitat tjera kushtetuese, që flasin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në organet shtetërore, në pushtetin gjyqësor dhe në organet tjera. Dhe, një prej këtyre organeve me kompetenca të jashtëzakonshme, që kanë të bëjnë me çështje siç është siguria e shtetit, shpallja e gjendjes së luftës apo e gjendjes së jashtëzakonshme, është edhe Këshilli i Sigurisë Nacionale”.

“Prandaj, këtu kemi një shkelje të rëndë të dispozitave kushtetuese. Meqenëse shqiptarët janë bashkësi më e madhe etnike pas maqedonasve, përfaqësimi në atë organ duhej të ishte, në mos me tre, të paktën me dy anëtarë shqiptarë”,
deklaron Osman Kadriu, ekspert për çështje kushtetuese.

Reagime kanë shprehur edhe përfaqësues të opozitës shqiptare. Nga Demokracia e Re e Imer Selmanit, i cili edhe është shkarkuar nga anëtari i Këshillit të Sigurisë, thonë se presidenti ka shkelur parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ky veprim është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, pasi në kohën kur pritej që të rritej së paku nga dy në tre numri i anëtarëve shqiptarë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndodh e kundërta, zvogëlohet numri i shqiptarëve nga dy në një”.

“Por, jo vetëm këtu. Në të gjitha organet vendimmarrëse të shtetit, numri dhe roli i shqiptarëve është i mjerueshëm dhe, si duket, kjo është një politikë, të cilën dikush e ka kthyer në trend”,
deklaron zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.

Kjo parti u bën thirrje institucioneve të ndryshojnë këtë politikë që, sipas saj, i kontribuon vetëm përkeqësimit të raporteve ndëretnike.

“Ne apelojmë që kjo dukuri të ndryshohet. Aq më tepër kur Maqedonia tani ka marrë një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, duhet më tepër të investojë në përmirësimin dhe avancimin e raporteve ndëretnike në vend, pasi veprimet e këtij lloji aspak nuk shkojnë në favor të marrëdhënieve ndëretnike, por edhe në frymën e realizimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe realizimin e obligimeve që dalin prej saj”, thotë Arianit Hoxha.

Sipas Kushtetutës, anëtarë të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, përveç presidentit dhe tre anëtarëve që caktohen nga ana e tij, me automatizëm janë edhe kreu i parlamentit, ai i qeverisë, si dhe ministrat e punëve të jashtme, të brendshme dhe të mbrojtjes.

Sipas nevojës, në mbledhje marrin pjesë edhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, drejtori i agjencisë për zbulim, si dhe drejtues të tjerë të sektorëve që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Mbledhjet thirren nga kreu i shtetit, varësisht nga rëndësia e ngjarjeve në sferën e sigurisë.
XS
SM
MD
LG