Ndërlidhjet

Siguria gjatë zgjedhjeve


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, por edhe ata të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zotohen për një mbarëvajtje të qetë të procesit zgjedhor. Ata kanë hartuar edhe një strategji të veçantë veprimi për sigurinë.



Me fillimin e fushatës parazgjedhore të partive politike, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë përgatitur një plan të veçantë operativ për vëzhgimin e situatës së sigurisë gjatë fushatës, si dhe gjatë procesit të votimit.

Shpend Maxhuni, ndihmësdrejtor i përgjithshëm për operativë, thotë se në ditën e parë të hapjes zyrtare të fushatës, nuk është raportuar asnjë incident.

Ndonëse nuk saktëson se sa do të jetë numri i policëve, të cilët do të angazhohen në këtë fushatë, Maxhuni zotohet për garantimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt.

Policia e Kosovës do të jetë me veprimet e saj ashtu siç parashihet në kuadër të këtyre planeve. Unë dëshiroj t’ju njoftoj se në këtë fushatë, nga vlerësimet që ne i kemi të përbashkëta me KQZ-në dhe vlerësimet tona profesionale, të cilat ne i bëjmë edhe me faktorët e tjerë relevantë që kanë përgjegjësi në aspektin e sigurisë, nuk parashohim ndonjë problem. Pra, do të jenë aktivitete rutinore të Policisë së Kosovës”, thotë Maxhuni.

Policia e Kosovës, sipas tij, ka përgatitur planet për t’i siguruar edhe fletëvotimet dhe materialin tjetër zgjedhor.

“Edhe për ditën e zgjedhjeve, respektivisht për datën 15 nëntor, ne kemi përgatitur urdhrin tonë operativ, i cili tashmë u është shpërndarë drejtorive rajonale dhe njësive të tjera relevante, që kanë përgjegjësi”.

“Në kuadër të këtij urdhri, ne i kemi paraparë të gjitha çështjet, duke filluar nga sigurimi i materialit sensitiv dhe çështjet e tjera që janë të parapara me Ligjin e zgjedhjeve dhe legjislacionin tjetër në fuqi, që aplikohet në Republikën e Kosovës”,
shpjegon Maxhuni.

Edhe zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në konferencën e përbashkët me Policinë, pohojnë se deri më tash nuk ka ndonjë problem në punën e tyre.

Xhemajl Peqani, kryeshef i KQZ-së, thotë se përgjegjësinë kryesore për sigurinë gjatë procesit zgjedhor, do ta ketë Policia e Kosovës.

“Përgjegjësinë kryesore për zgjedhjet në Kosovë e ka Policia e Kosovës. Policia e EULEX-it, KFOR-i dhe FSK-ja, në përputhje me mandatin e tyre, do të sigurojnë përkrahje të plotë për nevojat e sigurisë, nëse kjo kërkohet nga Policia e Kosovës”.

“Plani është bërë dhe është koordinuar në bashkëpunim. Ne kemi filluar kontaktet qysh herët me të gjitha këto struktura të sigurisë, që tash për tash kanë përgjegjësi për sigurinë në nivel të Kosovës”,
thotë Peqani.

Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, po ashtu, konstatojnë se, tash për tash, në asnjë komunë të Kosovës nuk ka nevojë për shtim të masave të sigurisë.

Këtë konkludim, Shpend Maxhuni e bazon në përvojën e zgjedhjeve të kaluara.

Fatmirësisht, edhe në zgjedhjet e kaluara - pra këto janë zgjedhjet e gjashta që organizohen në Kosovë pas periudhës së pasluftës - janë vlerësime të përbashkëta edhe të mekanizmave të tjerë, që nuk janë shënuar incidente serioze, nga të cilat ne do të kishim shqetësime”, përfundon Maxhuni.
XS
SM
MD
LG