Ndërlidhjet

Migrimi - telashet dhe dobitë


Migrimi ilegal nuk i ndihmon Kosovës, por duhet të gjenden mënyra që përmes migrimit të arrihet avancimi në fusha të ndryshme në vend, thonë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës. Për menaxhimin e kësaj çështjeje, sipas një raporti të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, duhet të krijohet mjedisi dhe strategjia adekuate ligjore.


Një hulumtim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara vlerëson se migrimi mund të jetë një forcë e dobishme që, siç thuhet, në masë të konsiderueshme i kontribuon zhvillimit njerëzor.

Por, për t’i realizuar këto përfitime, theksohet se duhet të ekzistojë një mjedis i favorshëm dhe mbështetës.

Në publikimin e raportit “Tejkalimi i barrierave: Lëvizshmëria dhe zhvillimi njerëzor”, drejtori i UNDP-së në Kosovë, Parviz Fartash, thotë se duhet të krijohen strategjitë adekuate, në mënyrë që edhe Kosova të jetë përfituese e migrimeve brenda dhe jashtë vendit.

“Në Kosovë, të ardhurat e çfarëdo kontributeve vlerësohet të jenë 15 për qind e GDP-së, gjë që ka ndihmuar nxjerrjen e njerëzve nga varfëria. Është e qartë se potenciali i plotë i migrimit për të rritur zhvillimin njerëzor është i ndrydhur nga barrierat ekzistuese të lëvizjes”.

“Andaj, raporti përmban udhëzime, sikurse për zonat ekzistuese, ashtu dhe për ato shtete që për herë të parë po themelojnë politikat e migrimit, në mënyrë që t’u mundësohet qeverive që ta realizojnë plotësisht këtë potencial”
, shprehet Fartash.

Raporti thekson se migrimi është një proces që duhet të menaxhohet dhe jo, siç thuhet, një problem që duhet të zgjidhet.

Në rekomandimet e këtij dokumenti theksohet domosdoja për respektimin politik të nevojave të migruesve, gjë që, siç thuhet, kërkon veprime në nivel rajonal dhe kombëtar.

Zëvendësministri i Administratës Publike në Kosovë, Rifat Blakaj, thotë se të gjeturat e raportit janë të rëndësishme për procesin e hartimit të një strategjie konkrete për migrim nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Migrimi në Kosovë është një problem, i cili duhet të analizohet, të studiohet dhe të menaxhohet në mënyrë shumë më të organizuar. Tashmë është hartuar një strategji - fillet e formimit të një strategjie të migracionit”.

“Është nxjerrë dhe një propozim-ligj në Qeverinë e Kosovës për emigracionin dhe diasporën”,
thotë Blakaj, duke shtuar se një drejtim pozitiv në këtë çështje paraqet dhe procesi i riatdhesimit të kosovarëve që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës.

Një nga rekomandimet kyçe të këtij raporti është se qeveritë duhet të shfrytëzojnë recesionin si një shans për të fuqizuar dhe inkurajuar migrimin, si pjesë e punës së tyre të përgjithshme zhvillimore.

Në raport thuhet se pas rimëkëmbjes nga recesioni global, kërkesa për fuqi punëtore migruese do të kthehet dhe se tani ekziston një shans për t’u siguruar se vendet, si ato mikpritëse ashtu edhe ato të origjinës, janë të përgatitura për përfitimet që sjell migrimi.

Blakaj vlerëson se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Prishtina zyrtare nuk mund t’u adresojë shteteve të ndryshme kërkesa për strehimin politik të emigrantëve kosovarë.

Këto kërkesa, sipas tij, duhet të ndryshojnë trajtën në përputhje me nevojën e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

“Nuk ka nevojë të nënshkruajmë marrëveshje për strehimin politik të kosovarëve, por duhet të nënshkruajmë marrëveshje të reja për format e ndryshme të punësimit sezonal, stinor dhe kategorive të ndryshme”.

“Duhet t’i analizojmë dhe t’i studiojmë kërkesat në tregun ndërkombëtar të punës dhe të përgatisim kuadro edhe për këtë treg”
, thekson ai.

Raporti vë në pah se, siç thuhet, në vend të tentimit të kufizimit të migrimit, është e nevojshme të krijohen politika zhvillimore, të cilat adresojnë problemet strukturore, siç janë paga e ulët, financimi joadekuat dhe institucionet e dobëta.
XS
SM
MD
LG