Ndërlidhjet

Thirrje serbëve për të mos dëgjuar Beogradin


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare u bënë thirrje serbëve të Kosovës të mos dëgjojnë Beogradin dhe të dalin në zgjedhjet e 15 nëntorit. Jetësimin e decentralizimit, ato e lidhin me pjesëmarrjen në zgjedhje.


Serbëve të Kosovës u është bërë thirrje që të mos dëgjojnë zërat nga jashtë, por të votojnë në zgjedhjet e 15 nëntorit, në mënyrë që të jetësojnë procesin e decentralizimit.

Një mesazh të tillë e ka përçuar nga Dobrotini i Lipjanit ambasadori amerikan, Kristofer Dell. Ai ka hedhur poshtë deklaratat e Beogradit se nuk ka kushte për të dalë në zgjedhje.

“Unë mendoj se kushtet në Kosovë ekzistojnë për të marrë pjesë në zgjedhje. Dhe, zërat që vijnë nga Beogradi, që u kërkojnë njerëzve që të mos votojnë, janë zëra të së kaluarës, jo të së ardhmes”.

“E vetmja mënyrë për të ardhmen e njerëzve të këtij vendi, është që të marrin rol aktiv dhe të vendosin vetë. Mënyra për të siguruar të ardhmen është që të punojnë për të, e jo të dëgjojnë zërin refuzues”,
ka thënë ambasadori Dell, gjatë përurimit të ujësjellësit në një fshat të banuar me shumicë serbe.

Ndërkohë, mesazhe të tilla janë dhënë edhe në Prishtinë, në takimin ndërministror për decentralizimin.

Ky proces është thënë se gjendet në fazën finale. Por, për krijimin e komunave të reja me shumicë serbe, duhet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, u ka kërkuar serbëve që të mos ndikohen nga jashtë.

“Qytetarët serbë mund të vendosin për vete dhe nuk besoj se u duhet këshillë nga jashtë se çfarë duhet bërë. Nuk duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë“,
ka thënë Feith.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka sqaruar se thirrja për bojkot është një thirrje për kthim mbrapa në këtë proces, që parashihet me Pakon e Ahtisarit.

“Është një thirrje negative, është një thirrje që nuk e ndihmon demokracinë, që e pengon zhvillimin dhe progresin e shtetit të Kosovës. Prandaj, ftesa ime për të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe për ata serbë, është që të jenë sa më prezentë, sa më të përfaqësuar në institucionet lokale, që do të dalin pas zgjedhjeve të 15 nëntorit”, është shprehur Thaçi.

Në anën tjetër, në pjesën veriore të Mitrovicës, i ashtuquajturi Kuvendi i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe ka nxjerrë disa qëndrime në lidhje me zgjedhjet lokale.

Ky organ paralel ka thënë se secili subjekt politik dhe individ serb që gjendet në listat e KQZ-së, si dhe qytetarët që eventualisht kanë ndërmend të marrin pjesë në zgjedhje, shkelin Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Serbisë.

Ky organizëm kërkon tërheqjen nga lista e votuesve, ndërsa kërcënon se pjesëmarrja në zgjedhje nënkupton edhe pezullimin e të gjitha përfitimeve materiale nga ana e institucioneve të Serbisë.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka pranuar se kundërshtimi serb paraqet sfidë për këtë proces.

“Situata, që e kemi në veri, është sfiduese. Por, ne, kur konstatuam progresin me të drejtë, njëkohësisht kemi edhe porosinë tonë. Aty ku institucionet e Republikës së Kosovës patën qasje, është mundësia që ato të mbahen. Do të shikojmë se cili është vullneti i qytetarëve”.

“Është insistim yni dhe në këtë po punojmë bashkë me të gjithë partnerët, po analizojmë qasjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në veriun e Kosovës”,
ka thënë Ferati.

Ndryshe, Ferati dhe Feith kanë kërkuar nga zërat kundërshtues në mesin e shqiptarëve, siç është udhëheqja komunale e Vitisë apo Lëvizja Vetëvendosje, që të mbështesin këtë proces dhe të mos dalin kundër vendimeve të qeverisë.

Në anën tjetër, ende nuk dihet nëse pjesëmarrja e ulët apo mosdalja në zgjedhje në komunat e reja, Ranillug, Kllokot e Graçanicë (dhe në Novobërdë, që me këtë proces do zgjerohet), do të rrezikojnë decentralizimin, meqë ligjet në fuqi nuk përcaktojnë ndonjë prag të pjesëmarrjes për të jetësuar procesin.

Kjo, sipas autoriteteve, do të analizohet pas mbajtjes së zgjedhjeve më 15 nëntor.
XS
SM
MD
LG