Ndërlidhjet

Vazhdojnë problemet e punëtorëve


Punëtorët kosovarë, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat, ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet. Kështu vlerësojnë përfaqësues të sindikatave të punëtorëve, duke shtuar se të drejtat e punëtorëve shkelen, jo vetëm në aspektin praktik, po edhe në atë legjislativ.


Paga jo të drejta dhe të padenja në krahasim me punën, orar i stërzgjatur pa kompensim, mungesë sigurie në punë, punësime pa kontratë, janë këto vetëm disa nga problemet, me të cilat ballafaqohen punëtorët kosovarë si në sektorin privat, po ashtu edhe në atë publik.

Kështu thonë përfaqësues të sindikatave që merren me të drejtat e punëtorëve.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thekson se të drejtat e punëtorëve shkelen në aspektin praktik dhe atë legjislativ.

Faktori subjektiv dhe objektiv, sipas tij, janë shkaktarët kryesorë të kësaj gjendjeje.

“Sa i përket karakterit objektiv, mendoj se duhet të pranojmë një fakt që kemi filluar një ekonomi prej fazës zero, duke pasur parasysh që nuk është shumë larg periudha e shkatërrimit të nivelit ekonomik”.


“Ndërsa, element i natyrës subjektive, mund të them se është faktori njeri, konkretisht faktori udhëheqës i shtetit të Kosovës bart një përgjegjësi”,
thotë Dragusha.

Edhe përfaqësues të Sindikatës së Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës, pohojnë se të drejtat e punëtorëve shkelen në mënyrë drastike.

Mursel Zymeri, kryetar i kësaj sindikate, e cila numëron mbi 75 mijë punëtorë, thotë se problemi kryesor i këtyre shërbyesve mbetet çështja e pagave dhe kontratave të paafatizuara.

“Në administratën tonë nëpunësit e nivelit të njëjtë realizojnë paga të ndryshme, edhe pse kryejnë punë të njëjta dhe kanë përgjegjësi të njëjta”.

“Është bërë praktikë e keqe, që kontratat e punës të afatizohen pa kritere dhe pa bazë ligjore, por vetëm sipas disa kritereve joformale si: afërsia familjare, klanore, partiake-politike, regjionale etj”.

“Ky fenomen po sjell frike e pasiguri, servilizëm, pandershmëri në punë, duke i vënë nëpunësit civilë nën presion dhe drojë për humbjen e vendeve të punës”
, shprehet Zymberi.

Gjendja me të drejtat e punëtorëve në sektorin privat, thotë Ali Dragusha, tani përbën shkeljen më të madhe të të drejtave të njeriut.

Ai thekson se për shkak të shkallës se lartë të papunësisë, punëdhënësit në këtë sektor gjejnë forma të ndryshme për të manipuluar me punëtorët, ndërkaq punëtorët detyrohen të heshtin para parregullsive.

Punëtorët nuk janë të gatshëm që t’i paraqesin shqetësimet e tyre, sepse ajo u kushton me marrëdhënie pune. Duke pasur parasysh shkallën tepër të lartë të papunësisë, edhe ai në një farë forme është i kushtëzuar doemos që për interes të vetin dhe të familjes të punojë 30 ditë non-stop, deri në 13 orë, vetëm për të realizuar 100 apo 200 euro”, thekson Dragusha.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë thonë se Kosova ka infrastrukturë të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Por, Fadil Racaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pranon se ligjet në Kosovë ende nuk zbatohen në nivelin e duhur.

“Mund të konkludojmë lirisht se të drejtat e të punësuarve kosovarë, në letër, legjislacion, janë sikur të drejtat e të gjithë punëtorëve të vendeve të rajonit dhe në vendet me demokraci të zhvilluar. Mirëpo, e keqja është se te ne, legjislacioni nuk zbatohet në nivelin e duhur. Veçmas kemi shkelje të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat”, thotë Racaj.

Një përmirësim i mundshëm i gjendjes së punëtorëve, pohojnë sindikalistët, mund të ndodhë vetëm me miratimin e Ligjit të punës, Ligj ky i cili që nga viti 2004 nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin e Kosovës, për shkak të, siç është thënë, implikimeve buxhetore.

Nëse institucionet kompetente nuk i shqyrtojnë mundësitë për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve, duke përfshirë këtu edhe miratimin e Ligjit të punës, sindikalistët thonë se nuk përjashtojnë mundësinë që në një periudhë të afërt të organizohen greva në të gjithë sektorët.
XS
SM
MD
LG