Ndërlidhjet

logo-print

SHBA, BE: Marrëveshja - hap historik

  • RFE /RL

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë përgëzuar Kosovën dhe Maqedoninë për arritjen e marrëveshjes për kufirin.


Në një komunikatë për media, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, ka thënë se marrëveshja tregon përkushtimin e të dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet në rajon, duke përparuar drejt qëllimit të përbashkët – anëtarësimit të plotë në komunitetin e shteteve evropiane dhe euroatlantike.

Edhe Prishtina, edhe Shkupi, kanë deklaruar se pas marrëveshjes, pritet që të vendosen së shpejti marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Në anën tjetër, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup e ka përshëndetur marrëveshjen dypalëshe ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës për përfundimin e shënimit të kufirit ndërmjet dy vendeve.

Në njoftim thuhet se “udhëheqësit e dy vendeve kanë treguar vendosmëri të madhe dhe kanë bërë hap të rëndësishëm në drejtim të sigurimit të stabilitetit në rajon”.

“Ne e presim vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve”,
thuhet në komunikatën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shkup.


Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Havier Solana, ka deklaruar se marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është shenjë e pjekurisë, përgjegjësisë dhe respektit reciprok.


“U uroj Maqedonisë dhe Kosovës për marrëveshjen mbi demarkacionin e kufirit. Shpresoj se marrëveshja shumë shpejt do të ratifikohet edhe nga parlamentet përkatëse”, ka thënë Solana.

Kurse, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, ka përgëzuar të dy qeveritë në lidhje me marrëveshjen.

Ai ka lavdëruar institucionet kosovare se kanë përfunduar punën e tyre në kuadër të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin.

“Marrëveshja paraqet një arritje pas muajve të punës së madhe për demarkacionin, e cila është udhëhequr nga ekspertët kosovarë dhe ata maqedonas. Diplomacia e investuar nga të dy shtetet është shpaguar. Kjo marrëveshje bilaterale është arritje historike, e cila padyshim se do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale tani dhe në të ardhmen”,
citohet të ketë thënë Feith.
XS
SM
MD
LG