Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë diskuton marrëveshjen


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë po diskuton marrëveshjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës e Maqedonisë. Ministri i Jashtëm, Antonio Milloshoski, e quajti marrëveshjen moment historik.




Mbyllja e çështjes së shënimit të vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës është moment shumë i rëndësishëm, jo vetëm për thellimin e mëtejmë të raporteve mes dy shteteve, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Kështu deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski, duke arsyetuar para deputetëve, marrëveshjen për demarkacionin mes Maqedonisë dhe Kosovës.

“Ky është një moment i mirë, madje do të thosha historik në zhvillimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Kosovës dhe me siguri se kjo do të jetë në dobi të shtetit dhe qytetarëve tanë”.

“Pra, ne po mbyllim një çështje të vogël, por shumë të rëndësishme. Konsideroj se, përveç thellimit të raporteve dypalëshe, kjo ka rëndësinë e saj rajonale, e madje edhe evropiane, pasi Maqedonia do të jetë një nga shtetet e rralla në Evropën Juglindore, e cila do t’i ketë qartë të definuar dhe shënuar kufijtë e saj”,
deklaroi ministri Milloshoski.

Por, ky vendim i Qeverisë, e në veçanti procedurat për miratimin e marrëveshjes, janë kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare.

Ato, madje, shprehën dyshimin se Qeveria dhe partitë në pushtet, kanë hequr dorë nga disa pjesë të territorit të Maqedonisë, me vetë faktin se e gjithë procedura është zhvilluar në orët e vona të natës dhe se për miratimin e marrëveshjes, Kuvendi është detyruar që të mbajë seancë ditën e shtunë, që nuk është praktikë e punës së deritashme të institucionit ligjvënës në Maqedoni.

“Ne nuk mund ta kuptojmë nevojën që kjo të bëhet me procedurë të përshpejtuar, që seanca të caktohet natën, për ditën e sotme! Ne nuk kemi asnjë dokument që heq dyshimet tona për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë, prandaj mendojmë se është dhunuar Kushtetuta”.

“Lidhja Socialdemokrate nuk është kundër mbylljes së kësaj çështjeje me Kosovën, por është kundër mënyrës se si mbyllet kjo çështje ”
, tha Andrej Petrov, nga Lidhja Socialdemokrate.

Edhe partitë tjera opozitare pohuan se nuk janë kundër mbylljes së demarkacionit mes dy vendeve, apo kundër pavarësisë së Kosovës, për të cilën thanë se është realitet, por kundër procedurave urgjente, mungesës së transparencës dhe dyshimeve nëse me këtë marrëveshje cenohen kufijtë e Maqedonisë.

Mirëpo, të gjitha këto pretendime u kundërshtuan nga ministri i Jashtëm, Milloshoski.

“Marrëveshja për ratifikimin dhe shënimin e vijës kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës ka për bazë marrëveshjen e vitit 2001; është bërë në mënyrë të balancuar, dhe në atë mënyrë që mundëson demarkimin fizik mes Maqedonisë dhe Kosovës, në përputhje me të gjitha aspektet gjeografike, kadastrale, ekonomike dhe energjetike”,
deklaroi shefi i diplomacisë, Antonio Milloshoski.

Për dallim nga partitë maqedonase, partitë shqiptare në opozitë e përshëndetën arritjen e marrëveshjes, të cilën e quajtën të vonuar.

“Është një vendim i vonuar. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Është një çështje që duhet të përshëndetet. Ne disa herë kemi kërkuar që kjo çështje të mos vonohet, pasi vonesa prej një viti që nga njohja e pavarësisë së Kosovës, nuk i shkonte në dobi askujt”,
theksoi Sulejman Rushiti, deputet i Demokracisë së Re.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të BDI-së (Bashkimi Demokratik për Integrim), Tahir Hani, tha se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin, pason edhe akti i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve që pritet të bëhet deri ditën e hënë.

“Mendoj se pas miratimit të këtij ligji nuk ka asnjë pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatik mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe kjo do të kontribuojë pozitivisht në forcimin e raporteve mes dy vendeve dhe në stabilitetin e rajonit”,
deklaroi kryetari i grupit parlamentar të BDI-së.

Arritja e marrëveshjes për demarkacionin është përshëndetur nga Ambasada Amerikane në Shkup dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është shenjë e pjekurisë, përgjegjësisë dhe respektit reciprok”
, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, në Shkup.

Ndërsa, Ambasada Amerikane konsideron se “udhëheqësit e dy vendeve kanë treguar vendosmëri të madhe dhe kanë bërë hap të rëndësishëm në drejtim të sigurimit të stabilitetit në rajon”.

Ambasada Amerikane beson se, pas këtij akti, do të vendosen edhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.
XS
SM
MD
LG