Ndërlidhjet

S’ka raste të reja të gripit A/H1N1


Me gjithë parashikimet e zyrtarëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, se me uljen e temperaturave do të këtë rritje eventuale të rasteve me të prekur nga virusi A/H1N1, sipas tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Megjithatë, ata thonë se kanë marrë masa shtesë për parandalimin e këtij virusi.


Situata epidemiologjike në Kosovë sa i takon gripit të derrit vazhdon të jetë e qetë. Kështu thonë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, të cilët vlerësojnë se Kosova deri më tash është në gjendje të mirë për nga evitimi i përhapjes së gripit të derrit, dhe se të gjitha rastet janë trajtuar siç duhet.

Drejtori për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se Kosova ka marrë të gjitha masat në rast të paraqitjes së rasteve të reja.

“Përgjithësisht, sa i përket statistikave epidemiologjike, janë ato që kanë qenë edhe më herët. Janë gjithsej 14 rastet të dyshuara, për të cilave 6 kanë qenë raste të konfirmuara. Ndërkohë, derisa situata epidemiologjike ka reflektuar e qetë, Kosova ka bërë avancime në planin e përgatitjeve për ballafaqim me pandeminë”,
thotë Hoti.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, thonë se gjendja aktualisht është e qetë dhe nuk kërkon masa të veçanta.

Drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani, pohon se që nga paraqitja e rasteve të para në botë, Kosova ka ndërmarrë masat e nevojshme.

“Institutit Kombëtar ka marrë të gjitha masat me kohë, qysh prej paraqitjes së rasteve të para në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, masa tjera kundër-epidemike dhe profilaktike, janë ndërmarrë në nivel të grumbullimit të sasive të antiviralëve të quajtur tamiflu. Ndërkaq, kohëve të fundit po bëhen përpjekjet të sigurohen 500 mijë doza të vaksinës së re të gripit A/H1N1”,
thekson Ramadani.

Epidemiologët në Kosovë kanë parashikuar që me uljen e temperaturave, do të mund të rritej numri i personave të prekur me virusin A/H1N1, i njohur si gripi i derrave.

Por, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, konsideron se askush nuk mund të paragjykojë se a do të ketë, apo jo, rritje të numrit të personave të prekur nga ky grip.

“Se a do të ketë raste të shtuara të gripit, askush nuk mund ta thotë me saktësi. Virusi mund të pësojë ndryshime, në kuptim të dobësimit të tij apo në formë të përforcimit, ose rritjes, por askush nuk mund të thotë me saktësi se çfarë do të ndodhë. Sidoqoftë, situatën epidemiologjike jemi duke e përcjellë me vëmendje të veçantë”,
shpjegon Ramadani.

Ndryshe, zyrtarë të Institutit të Shëndetësisë Publike, tashmë në shumë qendra të mjekësisë familjare, kanë bërë trajnime dhe u kanë dhënë rekomandime punonjësve të këtyre qendrave, për ndihmë eventuale për personat e prekur nga gripi.

Diagnostikimi i rasteve të rënda klinike të gripit A/H1N1 tash e tutje do të bëhet në Qendrën e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ky institut, tashmë, është pajisur me aparaturën për diagnostikimin e rasteve të prekura me gripin e derrit dhe gripit sezonal.

Megjithatë, Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen nga kjo, pasi, sipas tij, Ministria ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka doza të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu.

Hoti, po ashtu, pohon se po bëhen përpjekje për të porositur vaksinën kundër virusit A/H1N1.
XS
SM
MD
LG