Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë, pas një debati të gjatë, me 72 vota për, 11 kundër dhe asnjë të përmbajtur, e ratifikoi marrëveshjen për shënimin fizik të kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës.



Gjatë debatit, i cili zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, opozita maqedonase i ripërsëriti qëndrimet se me këtë marrëveshje, Maqedonia i dhuron Kosovës pjesë të territorit të saj dhe paralajmëroi se marrëveshjen do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Demokracisë së Re, theksuan se marrëveshja siguron zgjidhjen e çështjes së kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, krijon stabilitet në rajon dhe hap perspektivat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm, Antonio Milloshovski, duke e arsyetuar miratimin e kësaj marrëveshjeje, tha se ajo është në funksion të stabilitetit në rajon, pasi përmbyllet një çështje e vogël dhe e rëndësishme, si dhe krijohen marrëdhënie të mira mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.

Në debatin parlamentar, gjatë ditës, deputetët e opozitës kërkuan që t’u ndahen hartat topografike për të parë nëse Kosovës i jepet më shumë territor se sa 150 metra aq sa parashikohet me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare, të miratuar në vitin 2001.

Më herët, marrëveshja mori dritën e gjelbër në Komisionet Kuvendore, në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe në Komisionin Juridiko-ligjvënës.
XS
SM
MD
LG