Ndërlidhjet

Të dy Kuvendet ratifikuan marrëveshjen


Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Maqedonisë, në seanca të jashtëzakonshme, kanë ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit fizik mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë.



Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin fizik të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Marrëveshja u miratua të premten në mbrëmje nga Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Shkup.

Në mungesë votash të mjaftueshme, Kuvendi në Prishtinë dështoi ta ratifikojë atë që në votimin e parë. Për këtë u desh që të kërkohej mbajtja e seancës së re të jashtëzakonshme, në të cilën marrëveshja u ratifikua me 81 vota për, tri vota kundër dhe dy abstenime.

Para votimit, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesnin marrëveshjen.

“Ky moment i deklarimit tuaj për të përfunduar këtë proces, që është pjesë e barrës dhe e debateve të deritashme, do të përmbyllë një kapitull që nënkupton sqarimin e detajuar të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë”,
u shpreh Sejdiu.

Ai shprehu bindjen se me ratifikimin e marrëveshjes, fillon një epokë e re e zhvillimit të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi, u tha deputetëve se marrëveshja e arritur me Shkupin, rikonfirmon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe, siç u shpreh ai, forcon pozitën e saj lidhur me procesin e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë, që do të mbahet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Kjo marrëveshje është nënshkruar duke pasur parasysh gatishmërinë dhe përkushtimin reciprok për të kontribuuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore, sigurinë, stabilitetin, bashkëpunimin në rajon dhe perspektivën euroatlantike”
, tha Thaçi.

Duke e cilësuar si marrëveshje të interesit shtetëror, kryeministri Thaçi i ftoi deputetët, që në mënyrë unanime, ta ratifikojnë marrëveshjen e arritur pas muaj të tërë negociatash mes grupeve të ekspertëve nga të dy vendet.

Kreu i ekzekutivit tha se qëllimi i Qeverisë ka qenë përmirësimi i gabimeve që janë bërë si rezultat i marrëveshjes së vitit 2001.

Por, ai sqaroi se Qeveria e Kosovës sërish nuk ka pasur mandat për definimin e vijës kufitare, por vetëm për shënimin e saj fizik.

Thaçi u premtoi qytetarëve të Kosovës, prona e të cilëve kalon në shtetin maqedonas, se nuk do të jenë të dëmtuar.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të vazhdojnë ta punojnë tokën e tyre pa frikë, pa u penguar dhe me qasje të pandërprerë. Kjo do mundësohet me formimin e komisioneve përkatëse ndërshtetërore, të cilat do të themelohen menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve”,
theksoi Thaçi.

Qeveria, sipas tij, do të formojë komision vlerësues qeveritar për të vlerësuar dëmet e shkaktuara banorëve të brezit kufitar, që nuk kanë mundur t’i punojnë tokat e tyre që nga viti 2001, kur qe nënshkruar marrëveshja për demarkacion mes Maqedonisë dhe ish-Republikës Federale të Jugosllavisë

Kurse, Kuvendi i Maqedonisë, pas një debati të gjatë, me 72 vota për, 11 kundër dhe asnjë të përmbajtur, e ratifikoi marrëveshjen për shënimin fizik të kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Pamje nga Shkupi
Gjatë debatit, i cili zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, opozita maqedonase i ripërsëriti qëndrimet se me këtë marrëveshje, Maqedonia i dhuron Kosovës pjesë të territorit të saj dhe paralajmëroi se marrëveshjen do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Demokracisë së Re, theksuan se marrëveshja siguron zgjidhjen e çështjes së kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, krijon stabilitet në rajon dhe hap perspektivat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm, Antonio Milloshovski, duke e arsyetuar miratimin e kësaj marrëveshjeje, tha se ajo është në funksion të stabilitetit në rajon, pasi përmbyllet një çështje e vogël dhe e rëndësishme, si dhe krijohen marrëdhënie të mira mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.

Në debatin parlamentar, gjatë ditës, deputetët e opozitës kërkuan që t’u ndahen hartat topografike për të parë nëse Kosovës i jepet më shumë territor se sa 150 metra aq sa parashikohet me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare, të miratuar në vitin 2001.

Më herët, marrëveshja mori dritën e gjelbër në Komisionet Kuvendore, në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe në Komisionin Juridiko-ligjvënës.
XS
SM
MD
LG