Ndërlidhjet

Medvedev: Çështja e Kosovës s'është e zgjidhur


Dmitri Medvedev
Dmitri Medvedev

Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, ka deklaruar se "askush nuk duhet të pohojë se çështja e Kosovës është e zgjidhur pa fjalën e fundit të Serbisë".

“Përkundër përpjekjeve të mbështetësve të pavarësisë së Kosovës, atyre nuk do t’u shkojë për dore që ta tregojnë atë si proces të pakthyeshëm dhe ta mbyllin atë çështje. Konsiderojmë se hap pas hapi duhet treguar se alternativa për njëanshmërinë ligjore megjithatë ekziston”, ka thënë Medvedev për të përditshmen “Veçernje Novosti”.

Një ditë para vizitës në Beograd, Medvedev ka deklaruar se "Rusia po merr pjesë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës në bazë të formulës, e cila është harmonizuar me kolegët serbë, që Beogradi të dalë me iniciativa, kurse Rusia ta mbështesë në mënyrë konzistente".

Medvedev ka vlerësuar se "gjatë dekadës së fundit, e cila ka qenë kritike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, janë bërë shumë gabime tragjike” dhe ka shtuar se "disa prej tyre janë lejuar me vetëdije si pjesë e planit për ndërmarrjen e zgjidhjeve të njëanshme në praktikën ndërkombëtare".

Presidenti i Rusisë ka theksuar se vizitën e tij në Beograd e konsideron shumë të rëndësishme dhe nga ajo pret “përparim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe forcimin e lidhjeve vëllazërore ndërmjet dy popujve”, duke shtuar se të dy vendet kanë qëllime të ngjashme dhe interesa pragmatike të përbashkëta.

Dimitri Medvedev nesër do të vizitojë Serbinë, ku do t’i bisedojë çështjet e ekonomisë dhe të tregtisë.

Dy palët pritet të diskutojnë edhe huan ruse prej 1 miliard dollarësh, të cilën Rusia i premtoi Serbisë në fillim të vitit, si dhe projektet e infrastrukturës në fushën e energjisë dhe transportit.

Ndërkohë, investitorët rusë po e konsiderojnë ndërtimin e një stabilimenti për deponimin e gazit natyror në Serbi, si dhe mundësinë që në territorin e Serbisë të ndërtohet një degë e gazpërçuesit Rryma e Jugut. (V.P)
XS
SM
MD
LG