Ndërlidhjet

Nuk do të ndërmerren masa ndëshkimi ndaj serbëve që dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, thonë zyrtarë serbë në institucionet e Kosovës. Ata, njëherësh, e konsiderojnë të dëmshme thirrjen për bojkot.



Kisha Ortodokse Serbe dhe i ashtuquajturi Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, në ditët e fundit, njëzëri u kanë bërë thirrje serbëve lokalë që t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Analistë kosovarë thonë se këto presione tregojnë se Beogradi zyrtar dhe grupet më radikale po e humbasin kontrollin ndaj komunitetit serb, veçanërisht në jug të lumit Ibër.

Ilir Deda, nga Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë se këto thirrje nuk do të kenë shumë ndikim.

Ekziston një vullnet dhe gatishmëri e serbëve të Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Kjo gatishmëri shihet sidomos në territorin e Graçanicës, Shtërpcës, Ranillugës dhe Kllokotit. Në Novobërdë janë radikalët më të fortë, por sa më shumë që të rritet disponimi i serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, aq më i fortë do të jetë presioni i Serbisë”.

“Mirëpo, këtu Serbia e luan një lojë të dyfishtë, sepse disa zyrtarë të kësaj qeverie u thonë serbëve lokalë që të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa disa të tjerë shprehen kategorikisht kundër”,
thotë Deda.

Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje serbëve lokalë që të mos u përgjigjen, siç thuhet, thirrjeve të institucioneve jolegjitime për të marrë pjesë në zgjedhje.

Në anën tjetër, i ashtuquajturi Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, organ ky paralel me seli në veri të Mitrovicës, ka kërcënuar serbët lokalë, se në rast të pjesëmarrjes në zgjedhje, do t’u ndërpriten përfitimet financiare nga institucionet e Serbisë.

Këshilltari i kryeministrit për çështje të komuniteteve, Srgjan Sentiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se thirrja për bojkot është e pabazë dhe e dëmshme për komunitetin serb.

“Thirrja për bojkot është kundërproduktive. Ashtu si mund të keni dëgjuar, nuk bëhet fjalë për shtetin, d.m.th., askush nga zyrtarët e lartë nuk ka thënë se do t’i shkurtojmë të ardhurat që i merrni nga buxheti shtetëror. Unë mendoj se kjo nuk do të ndodhë”, thotë Sentiq.

Ndërkohë, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se kushte për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje nuk ka, porse nuk do të ketë, siç ka thënë, hakmarrje ndaj atyre që marrin pjesë në zgjedhje.

Sipas Sentiqit, këto janë porosi politike, që vetëm e dëmtojnë komunitetin serb.

“Nëse i analizoni deklaratat diplomatike nga lart, ato nuk thonë ‘mos dilni në zgjedhje’, por se disa kushte nuk janë përmbushur dhe kjo porosi mund të interpretohet nga kushdo si të dëshirojë”.

“Vetë fakti që janë paraqitur 20 subjekte serbe, tregon se diçka nuk është në rregull. E çka nuk është në rregull? Ne kemi një vijë politike, që na flet njësoj në dhjetë vjetët e fundit, ndërsa kemi gjithnjë e më pak serbë në Kosovë. Ky është një problem”,
shprehet Sentiq.

Në të njëjtën frymë shprehet edhe Ilir Deda. Ai thotë se serbët, sidomos ata poshtë lumit Ibër, janë ngopur nga nacionalizmi dhe tani duan të përmirësojnë jetën e përditshme.

“Ata po shohin se janë duke u integruar në sistemin e Kosovës, prej integrimit në polici, ashtu edhe duke paguar rrymën dhe tatimet tjera. D.m.th., ata janë të vetëdijshëm se për fatin e tyre, mund të vendosin vetëm me pjesëmarrje në zgjedhje dhe me participim të tyre në institucionet legale të Kosovës”.

“Unë mendoj se do të kemi një numër më të madh të serbëve, që do të marrin pjesë në zgjedhje, sesa në ato të vitit 2007, dhe do të kemi udhëheqësi lokale më legjitime, sesa që kemi pasur deri më tani”,
thotë Deda.

Në Komisionin Qendror Zgjedhor, për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë certifikuar 21 subjekte politike serbe.

Këto zgjedhje po konsiderohen si shumë të rëndësishme për serbët, meqë në to do të zgjidhen edhe qeveritë lokale për komunat e reja me shumicë serbe, si Graçanicë, Ranillugë, Kllokot, si dhe Novobërdë, e cila do të zgjerohet.
XS
SM
MD
LG