Ndërlidhjet

S'ka përshpejtim për ambasadën në Shkup


Hapja e ambasadës së Kosovës në Maqedoni do të kalojë sipas procedurave të rregullta, thonë zyrtarët në Prishtinë.




Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pritet të dekretojë fillimin e procedurave për hapjen e ambasadës së Kosovës në Shkup. Akreditimi i procedurave për hapjen e ambasadës atje pason vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërshtetërore, pas marrëveshjes së arritur për demarkacionin fizik të kufirit.

Emërimi i ambasadorit dhe hapja e ambasadës së Kosovës në Maqedoni do të shkojnë sipas procedurave të rregullta dhe nuk do të ketë përshpejtime, thotë zëdhënësja dhe këshilltarja e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri.

“Në momentin që dekretohet hapja e ambasadës, atëherë Ministria e Jashtme obligohet për fillimin e punës, për fillimin e procedurave ligjore, për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash, çka do të thotë se ne do të hapim konkursin për ambasador dhe konkursi do t’u nënshtrohet të gjitha procedurave, sikurse edhe konkursi për 18 ambasadorët e deritashëm”, shpjegon Beqiri.

Përveç Shkupit, zëdhënësja Beqiri konfirmon se Prishtina i ka dërguar ftesën zyrtare edhe Podgoricës, për vendosjen e raporteve diplomatike në nivel ambasadash ndërmjet Kosovës e Malit të Zi. Tani mbetet që Mali i Zi të kthejë përgjigjen, thekson Beqiri.

“Sa i përket Malit të Zi, ne jemi duke pritur përgjigjen në ftesën tonë që ia kemi bërë Podgoricës zyrtare për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash. Në momentin që përgjigjja është pozitive, atëherë do të fillojnë procedurat, ashtu sikurse edhe për ambasadat e tjera, pa asnjë dallim”, thotë Beqiri.

Raportet diplomatike ndërmjet Prishtinës e Shkupit si dhe vendeve tjera fqinje vlerësohen pozitivisht edhe nga analistët. Analisti Afrim Hoti thotë se këto raporte i kontribuojnë paqes e stabilitetit në rajon, me gjithë kundërshtimet aktuale të Serbisë.

“Vendosja e raporteve në mes të dy republikave është krejtësisht pozitive. Në rajon do të reflektojë po ashtu pozitivisht, por, normalisht, nuk duhet harruar faktin që mbase me shtetet e caktuara do të lindnin, e them kushtimisht, probleme; e kam fjalën për raportet në mes të Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë”.

“Por, raporte të tilla mendoj se vetëm do të jenë në nivelin e deklaratave dhe tensioneve të momentit, ndërkohë që në perspektivë, mendoj dhe jam shumë i bindur që këto do të jenë krejtësisht pozitive”,
shprehet Hoti.

Në vitin e parë të shtetësisë së Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu pati dekretuar hapjen e 10 ambasadave, ndërkaq këtë vit ishte akredituar hapja e 8 ambasadave të tjera.

Në të ardhmen, zyrtarë kosovarë kanë konfirmuar se nuk planifikohet të shkohet me hapjen në bllok të ambasadave, por do të vendoset veç e veç, varësisht vendeve dhe vlerësimeve politike që do të bëhen.
XS
SM
MD
LG