Ndërlidhjet

Bosnja: Rreziku vazhdon


Takimi u mbajt në kampin ushtarak Butmir, afër Sarajevës, 20 tetor 2009.
Takimi u mbajt në kampin ushtarak Butmir, afër Sarajevës, 20 tetor 2009.

Nuk dha rezultat dita e parë e bisedimeve mes BE-së, SHBA-së dhe udhëheqësve boshnjakë. Përfaqësuesit e të tria komuniteteve, për arsye të ndryshme, kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese.



Sot mbahet dita e dytë e bisedimeve mes përfaqësuesve të tre komuniteteve në Bosnjë dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Dita e parë e raundit të dytë të bisedimeve përfundoi pa rezultat.

“Ne diskutuam rreth parimeve e rreth asaj që është e mundur të arrihet. Në mesin e pretendimeve ishte dhe ai i Tihiqit për unifikimin e gjykatave supreme në një gjykatë kushtetuese. Kjo është e papranueshme për ne serbët, ashtu siç është e papranueshme për Tihiqin që e drejta e entiteteve për referendum mbi statusin të përfshihet në Kushtetutë”, tha Millorad Dodik, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës.

“Bosnja demokratike është dëmtuar dhe nuk mund ta pranojmë një gjë të tillë”, deklaroi Haris Silajxhiq, përfaqësuesi boshnjak në presidencën tripalëshe të Bosnjës.

Zyrtarët evropianë dhe amerikanë synojnë mundësimin e ndryshimeve kushtetuese që do ta afrojnë Bosnjën me Bashkimin Evropian.

Propozimet e ndërkombëtarëve synojnë që një pjesë e kompetencave të etniteteve të kalojnë në nivel federal. Përfaqësuesit e serbëve të Bosnjës i shohin këto si përpjekje që çojnë drejt një Bosnje më unike, e për pasojë që çojnë drejt shuarjes së entiteteve.

Republika Serbe e Bosnjës u krijua pas Marrëveshjes së Dejtonit, që mundësoi fundin e luftës. Por, për rreth 15 vjet, Marëveshja ka dhënë dhe rezultate që nuk ishin qëllim i saj, siç është thellimi i ndarjes mbi baza etnike.

Në bisedimet e djeshme, që janë quajtur “Dejton 2”, morën pjesë nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhim Shtajnberg, ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, dhe eurokomisioneri për zgjerimin, Oli Ren.

Ren, para fillimit të bisedimeve, deklaroi se “politikanët e Bosnjës duhet të jenë të ndërgjegjshëm se ky është një moment i rëndësishëm për vendin.

Ren shtoi se pa “evoluimin kushtetues” Bosnja rrezikon të mbetet jashtë Bashkimit Evropian. Në shkëmbim të pranimit të reformave kushtetuese, Brukseli i ka ofruar Bosnjës një rrugë më të shpejtë drejt integrimit evropian.
XS
SM
MD
LG