Ndërlidhjet

BE, Rusi: Dështojnë përpjekjet për afrim


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologu i tij suedez, Karl Bild. Bruksel, 19 tetor 2009.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologu i tij suedez, Karl Bild. Bruksel, 19 tetor 2009.

Bashkimi Evropian dhe Rusia e kanë riafirmuar dëshirën e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve, përkundër disa pengesave aktuale. Por, bisedimet e fundit në Bruksel për çështjet kryesore, siç është anëtarësimi i Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, duket se kanë vendnumëruar.


Raportet e Bashkimit Evropian me Rusinë duket se i janë kthyer normalitetit, por, megjithatë, për çështjet kryesore nuk ka përparim. Ky është konstatimi pas bisedimeve të fundit në Bruksel.

Karld Bild, ministër i jashtëm i Suedisë, që aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, tha se Bashkimi Evropian është i interesuar për zhvillimin e partneritetit me Rusinë.

“Natyrisht se ekzistojnë disa çështje, për të cilat ne kemi perspektiva të ndryshme, veçanërisht për Kaukazin Jugor, por ka shumë çështje të tjera, ku të dyja palët shohin domosdoshmërinë dhe mundësinë për të lëvizur përpara në raportet tona”, tha Karl Bild.

Bashkimi i Evropian i ka shtuar shumë përpjekjet për përmirësimin e lidhjeve me Moskën, prej invadimit të Gjeorgjisë nga ana e Rusisë, vitin e kaluar, përkundër lojës politike të rrezikshme të Rusisë, që po vazhdon.

Të dyja palët do të takohen në samitin e muajit të ardhshëm në Stokholm, por diplomatët e Bashkimit Evropian kanë pak shpresa për kthesa substanciale, duke e fajësuar mosinteresimin e qartë të Rusisë.

Rusia i ka anuluar bisedimet për marrëveshjen e re për partneritet me Bashkimin Evropian, që ishte paraparë për të premten e kaluar, duke theksuar “shkaqe teknike”.

Moska, po ashtu, po e zvarrit çështjen e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, që është një qëllim i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, që synon krijimin e raporteve komerciale me Rusinë në baza të qarta ligjore.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, paraqiti indikacione se Rusia nuk është e gatshme ta mbështesë Bashkimin Evropian në synimet e tij për mbajtjen e samitit global për ndryshimet klimatike në Kopenhagë, por kërkon që BE-ja të bashkëpunojë me Rusinë.

“Bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet Rusisë dhe BE-së në çështjet e rëndësishme në agjendën globale, do të përcaktojë drejtpërsëdrejti se sa Bashkimi Evropian mund të lëvizë drejt zgjidhjes së detyrave, me të cilat ballafaqohet”, tha Segei Lavrov.

Ai, më tutje, e përsëriti kërkesën e presidentit Dmitri Medvedev për një “arkitekturë të re të sigurisë” evropiane.

Zoti Lavrov po ashtu refuzoi të garantojë se nuk do të përsëritet ndalja e gazit për Ukrainën, siç kishte ndodhur në janar të këtij viti, me të cilin furnizohen miliona evropianë.

Më tutje, ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që të tregojë se kur do t’i lejojë rusët që të lëvizin të lirë, pa viza, tek anëtarët e BE-së.

Por, komisionarja për marrëdhënie të jashtme e BE-së, Benita Ferrero Valdner, tha se konsensusi për këtë çështje, brenda BE-së, nuk është i sigurt për një periudhë afatmesme.

“Ne gjithnjë kemi thënë se udhëtimi pa viza, kuptohet, është çështje e perspektivës afatgjatë. Kjo veçanërisht është theksuar në këtë takim, pasi na duhet pajtueshmëri e të gjitha vendeve anëtare”, tha zonja Ferrero Valdner.

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian besojnë se çështja e regjimit të vizave për rusët, që është e një rëndësie të madhe simbolike për Kremlinin, paraqet njërën nga levat më të fuqishme për negociata me Rusinë.

F.B.
XS
SM
MD
LG