Ndërlidhjet

logo-print

CSM: "Misioni evropianolindor i Bajdenit"


Nënpresidenti Xho Bajden. Varshavë, 20 tetor 2009.

Nënpresidenti Xho Bajden. Varshavë, 20 tetor 2009.

SHBA-të duhet të sqarojnë politikën ndaj Evropës Lindore. Bajdeni të sigurojë se raportet SHBA-Rusi nuk do të zhvillohen në kurriz të rajonit, shkruan e përditshmja “Christian Science Monitor”.






Vizita e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, në Evropën Lindore është një mundësi e mirë për të siguruar Poloninë, Çekinë e Rumaninë se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj sigurisë së këtyre vendeve.

Dhënia e garancive është e nevojshme, veçanërisht pas vendimit kundërthënës të administratës Obama për të anuluar vendosjen e mburojës raketore në Poloni dhe Çeki.

Megjithëse vendimi i presidentit Obama për ta ribërë nga e para planin raketor të Bushit ishte i drejtë, mënyra se si u publikua ishte larg nga të qenit e përsosur.

Udhëheqësit çekë e polakë u informuan për vendimin në minutën e fundit, duke i bërë ata të ndihen si sende pavlerë, e jo si aleatë të vyer.

Kjo ndikoi në keqinterpretimin se vendimi ishte për të kënaqur Rusinë. Ky perceptim është i gabuar. Vendimi ishte rezultat i ndryshimit të natyrës së rrezikut që vinte nga Irani.

Por, pavarësisht të gjithave, raportet e Shteteve të Bashkuara me rajonin u dëmtuan. Në këtë kuptim, nënpresidenti Bajden duhet të artikulojë politika të qarta e kuptimplota, të cilat do të sqarojnë dhe vendin e Evropës Lindore në kuadër të strategjisë së përgjithshme amerikane në Evropë dhe Euroazi.

Mbështetja e publikut në Evropën Lindore për Shtetet e Bashkuara ka njohur rënie. Kjo lidhet në veçanti me tre faktorë.

Rikthimi politik dhe ushtarak i Rusisë. Duke qenë për një kohë të gjatë nën dominimin rus, vendet e Evropës Lindore e Qendrore janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve në fuqinë e Rusisë. Ato i druhen në veçanti taktikave të Moskës për të përdorur energjinë si mjet të politikës së jashtme.

Shqetësimet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhen dhe me vullnetin politik të NATO-s. Gjithnjë e më shpesh, shumë vende të Evropës Lindore po vënë në pikëpyetje faktin se NATO-ja do t’i mbrojë në rast krize.

Lufta e vitit të kaluar në Gjeorgji, nga shumë është interpretuar si një tendencë e vendeve evropiane, anëtare të NATO-s, që të tolerojnë sjelljet prej të fortit të Rusisë ndaj fqinjëve.

Së treti, shqetësimi i evropianolindorëve lidhet me pasigurinë rreth tendencave të politikës së jashtme amerikane në raport me Evropën.

Droja e vendeve të rajonit nuk lidhet me idenë e një të ashtuquajture “Jaltë e re”, por me faktin se ndihen të lëna pas dore.

Në këto kushte, nënpresidenti amerikan duhet të shkojë më larg gjatë vizitës së tij në rajon, sesa thjesht të sigurojë vendet e rajonit lidhur me vendimin për mbrojtjen raketore.

Bajden duhet të artikulojë një politikë të qartë ndaj rajonit. Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se janë të angazhuara ndaj sigurisë së Polonisë, Letonisë e Rumanisë, po aq sa për sigurinë e Anglisë, Francës apo Gjermanisë.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet ta qartësojnë se nga përmirësimi i raporteve SHBA-Rusi, do të përfitojë gjithë Evropa dhe se këto marrëdhënie nuk do të zhvillohen në kurriz të Evropës Lindore.

Së treti, vendosmërisht, Shtetet e Bashkuara të hedhin poshtë idenë e sferave të ndikimit, çfarë mbetet qëllim kyç në politikën aktuale ruse. (I.B.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG