Ndërlidhjet

Bosnjë: Bisedimet pa marrëveshje


Kampi ushtarak Butmir.
Kampi ushtarak Butmir.

Bisedimet e përfaqësuesve të SHBA-ve dhe BE-së me liderët e Bosnjë e Hercegovinës nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje. Millorad Dodik tha se Republika Serbe nuk do ta zvogëlojë kapacitetin e saj që buron nga Marrëveshja e Dejtonit.


Bisedimet në Butmir, afër Sarajevës, ndërmjet përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian me udhëheqësit e partive politike në Bosnjë e Hercegovinë, kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg, dhe shefi i diplomacisë së Suedisë, Karl Bildt, paralajmëruan mundësinë e një vizite tjetër në nëntor.

Qëllimi i bisedimeve ishte vendosja e institucioneve funksionale në nivelin shtetëror, në mënyrë që Bosnjë e Hercegovina të përparojë drejt integrimeve euroatlantike.

Bildt dhe Stajnberg paralajmëruan se procesi i filluar në Butmir do të vazhdojë javën e ardhshme, kur një ekip ekspertësh amerikanë dhe evropianë do të qëndrojë në Bosnjë, për t’i vazhduar bisedimet me liderët politikë për të arritur marrëveshje.

Bildt dhe Stajnberg thanë se BE-ja dhe SHBA-të janë përcaktuar fuqishëm që të punojnë me qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës dhe t’u ofrojnë përkrahje në rrugën drejt integrimeve në bashkësinë euroatlantike.

Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, tha pas takimit se kjo ishte vetëm një përpjekje që të bëhet diçka.

“Është e logjikshme se duhet të punohet për integrimet evropiane, por kjo që u propozua para dy-tri ditësh, nuk është bazë për bisedime”, tha Dodik.

Ai theksoi se propozimet parashohin ndryshime drastike të Kushtetutës aktuale.

“Jemi të gatshëm për të rritur numrin e deputetëve dhe për çështje tjera teknike të ngjashme, por jo më shumë se kaq”, tha ai, duke shtuar se nuk është i nevojshëm ndërmjetësimi i të huajve.

Propozimet duhet të jenë tonat, tha ai, duke nënvizuar se Republika Serbe nuk ka ndërmend ta zvogëlojë kapacitetin e saj që buron nga Marrëveshja e Dejtonit.

“Ky shtet është rezultat i marrëveshjes dhe unë respektoj vetëm një Bosnjë e Hercegovinë të tillë”, tha Dodik.

Mbrëmë, pas takimit, Dodik udhëtoi në Beograd, ku mori pjesë në akademinë me rastin e 65-vjetorit të çlirimit të Beogradit, në të cilën ndodhej edhe presidenti rus, Dimitri Medvedev.

Dodik tha se e ka informuar Medvedevin për gjendjen aktuale në Republikën Serbe të Bosnjës, duke theksuar se Rusia është garantuese e Marrëveshjes së Dejtonit.

Moska konsideron se në Bosnjë e Hercegovinë çdo gjë duhet të zhvillohet pa kurrfarë presioni dhe vetëm me marrëveshjen e tri popujve dhe dy entiteteve, tha Dodik. (V.P.)
XS
SM
MD
LG