Ndërlidhjet

Maqedonia përgatit ambasadorin në Kosovë


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Ministria e Jashtme në Shkup paralajmëroi emërimin e ambasadorit në Kosovë. Ndërkohë, ish-presidenti Cërvenkovski e ka vlerësuar si shumë pozitiv demarkacionin e kufirit mes dy vendeve.




Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka njoftuar se së shpejti do të fillojë procedura për emërimin e ambasadorit të Maqedonisë në Kosovë.

Qeveria ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të fillojë firmosja e marrëveshjeve dypalëshe mes Shkupit dhe Prishtinës, të cilat i hapin rrugën thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar, por edhe marrëveshjeve në fusha të tjera midis dy vendeve fqinje.

Zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se marrëveshja e parë që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme do të jetë ajo ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë me Ministrinë së Ekonomisë dhe Energjetikës të Kosovës.

Duraku ka thënë se marrëveshja e dytë duhet të jetë ndërmjet Ministrive të Punës dhe Politikës Sociale.

Ka një interes të veçantë për tregun kosovar, për shkak se vetëm në pjesën e derivateve të naftës që furnizohet Kosova, Maqedonia në vit realizon të ardhura diku mbi 200 milionë euro”, ka thënë Duraku.

Ai ka shtuar se në të ardhmen, Maqedonia dhe Kosova pritet të realizojnë projekte të përbashkëta në fushën e energjetikës dhe se janë duke u shqyrtuar mundësitë e investimit të Maqedonisë në energjetikën kosovare.

Ndërkohë, gjatë një vizite në Slloveni, kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, e ka vlerësuar si shumë pozitiv demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Ai i ka bërë këto komente në Lubjanë, pas takimit me kryeministrin slloven, Borut Pahor, i cili është kryetar i Partisë Socialdemokrate të Sllovenisë.

“Sa u përket reagimeve të Serbisë, ato për mua ishin të pritshme”, ka deklaruar Cërvenkovski, duke shtuar se Beogradi duhet “ta pranojë faktin se pasi Maqedonia e njohu pavarësinë e Kosovës, herët apo vonë do të pasonte marrëveshja rreth kufirit”.

Cërvenkovski ka thënë se është shumë e rëndësishme që me këtë rast “nuk janë shkaktuar kurrfarë vështirësish në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë”.

Ish-presidenti Cërvenkovski ka shprehur bindjen se “demarkacioni i kufirit dhe njohja e Kosovës do të ndikojnë shumë pozitivisht te të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ku 25 % janë shqiptarë. (V.P.)
XS
SM
MD
LG