Ndërlidhjet

Shkeljet në fushatë


Tubim parazgjedhor (foto arkiv)
Tubim parazgjedhor (foto arkiv)
Koalicioni i OJQ-ve vendore “Demokracia në veprim” u ka bërë thirrje sot partive politike, që po zhvillojnë fushatat e tyre paraelektorale, që të mos e ashpërsojnë fjalorin politik dhe të mos i shfrytëzojnë fëmijët nëpër aktivitetet e tyre zgjedhore.


Sipas drejtuesve të këtij koalicioni, gjatë monitorimit të javës së parë të fushatës, është vërejtur edhe përdorimi i veturave publike nga zyrtarë të ndryshëm për qëllime partiake.

Ismet Kryeziu, drejtor i Koalicionit të Organizatave Joqeveritare “Demokracia në veprim”, ka përmendur disa raste, të cilat i ka vlerësuar si brengosëse.

“Ne iu bëjmë thirrje partive politike, të gjithë prindërve që të mos i keqpërdorin fëmijët e tyre dhe të mos i angazhojnë në fushata, apo në promovimin e fushatave të partive politike”.

“Të gjitha ato parti politike që janë në pushtet, janë duke e keqpërdorur taksën e qytetarëve. Janë duke i përdorur mjetet zyrtare të tyre nëpër këto fushata; janë duke e përdorur kohën e tyre, për të cilën ne, si qytetarë të Kosovës, paguajmë. Ndërsa, gjatë orarit të punës shpeshherë i shohim këta zyrtarë duke marrë pjesë në fushatat e partive politike”,
është shprehur Kryeziu.

Një shqetësim tjetër për Koalicionin e Organizatave Joqeveritare “Demokracia në veprim” është edhe ashpërsimi i fjalorit politik nga përfaqësuesit e partive politike që garojnë për zgjedhjet e 15 nëntorit.

Kjo, sipas Kryeziut, mund të ndikojë negativisht te votuesit kosovarë.

“Ne kemi ashpërsim të një gjuhe politike, të cilën qytetarët e Kosovës nuk e dëshirojnë. Nuk ka nevojë për një ashpërsim të gjuhës, sepse kjo nuk i bën mirë fushatës, nuk i bën mirë procesit. Ne iu bëjmë thirrje partive politike që, në vend të ashpërsimit të gjuhës, të kenë programe dhe të orientohen në programe edhe më alternative dhe t’iu ofrojnë qytetarëve zgjidhje”, ka vlerësuar Kryeziu.

Mirëpo, analistët politikë në Kosovë, lidhur me ashpërsimin e fjalorit politik gjatë kësaj fushate zgjedhore, kanë mendime të ndryshme.
Analisti Driton Lajçi ka vlerësuar se nuk ka ashpërsim të fjalorit dhe, sipas tij, të gjitha fjalimet që janë dëgjuar deri më tash, janë në kuadër të suazave normale.

“Konsideroj se fushata, në përgjithësi, është normale, është demokratike. Ngritja e zërit e pjesëmarrësve, kandidatëve dhe liderëve është në kuadër të kornizave të zhvillimit të demokracisë në Kosovë”.

“Nuk konsideroj që ka pasur ndonjë rast eklatant të rëndë të fyerjes, apo të shkeljes së parimeve të bazave të demokracisë në Kosovë. Do të thotë, përderisa njerëzit përdorin fjalën, kjo është në kuadër të normave të demokracisë”,
ka thënë Lajçi.

Megjithatë, Lajçi ka pohuar se partitë politike duhet të kenë kujdes në veprimet e tyre, pasi që, sipas tij, zgjedhjet dhe veprimet e liderëve të partive politike janë duke u monitoruar nga mekanizmat evropianë.

“Pjesëmarrësit, aktorët dhe përfituesit e zgjedhjeve lokale të Kosovës duhet ta dinë se janë të monitoruar qind për qind nga mekanizmat evropianë dhe nga institucionet e tjera. Duhet ta dinë se këto detaje mund ta pengojnë ecjen e Kosovës drejt integrimit në institucionet evropiane”, ka theksuar Lajçi.

Në javën e parë të fushatës zgjedhore, sipas koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në veprim”, është parë se partitë politike po bëjnë shpenzime të mëdha.

“Ne e kuptojmë që edhe zgjedhjet janë një lloj spektakli, por jo spektakël i cili mbulon koston sa mundem si taksapagues, ose koston ligjore, e cila është e përcaktuar për këto zgjedhje”, ka potencuar Ismet Kryeziu.

Ndryshe, një rregullore e përcaktuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor për partitë që garojnë për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, lejon shpenzime për fushatë vetëm 0.50 euro për kokë të votuesit.

Të ndërlidhura

XS
SM
MD
LG