Ndërlidhjet

Ndërhyrjet e Serbisë në veri


Mitrovicë
Mitrovicë

Elektro-ekonomia e Serbisë ka filluar furnizimin me rrymë të pjesës veriore të Kosovës. Korporata Energjetike e Kosovës thotë se kjo është shkelje ligjore. Ndërkaq, serbët e veriut kanë paralajmëruar kundërshtimin me të gjitha mjetet e lejuara ligjore, nëse KEK-u synon që të vë nën kontroll nënstacionin në veri për furnizimin me rrymë të kësaj pjese.


Pjesa veriore e Kosovës po furnizohet me energji elektrike nga Elektro-ekonomia e Serbisë, përmes Novi Pazarit, pasi që më 19 tetor, Korporata Energjetike e Kosovës kishte shkyçur këtë pjesë nga sistemi për shkak të një avarie.

Përfaqësuesit serbë të kësaj ane thonë se ndërprerja e rrymës nga ana e KEK-ut ishte bërë për arsye politike, kurse KEK-u konfirmon se ndërprerja erdhi si pasojë e një prishjeje në nënstacionin në veri. Prishja, sipas KEK-ut, erdhi nga ngarkesa e madhe në rrjet gjatë ditëve të kaluara, kur temperaturat shënuan rënie të dukshme.

Banorët serbë të kësaj pjese të Kosovës tash e dhjetë vjet nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar.

Drejtori i Elektro-ekonomisë së Serbisë për Kosovën, Radoje Kreckoviq, thotë se serbët do të fillojnë t’i paguajnë faturat për energjinë e shpenzuar së shpejti, por pagesat, sipas tij, do t’i bëjnë në llogari të ndërmarrjes serbe të Elektro-Kosovës, që funksionon në kuadër të Elektro-ekonomisë së Serbisë.

“Banorët serbë të pjesës veriore të Kosovës do të paguajnë energjinë elektrike, edhe atë, që të jem më i saktë, do t’i paguajnë Elektro-ekonomisë së Serbisë”, thotë Kreckoviq.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Nacional Serb, Millan Ivanoviq, e cilëson si dramatike gjendjen në veri, pas problemeve të shfaqura me furnizimin me rrymë.

Ivanoviq thotë se sheh rrezik të vënies nën kontroll të nënstacionit në veri nga ana e EULEX-it dhe KEK-ut. Por, serbët nuk do ta lejojnë këtë, thotë ai.

“Ka një mobilizim të banorëve në Komunën e Zveçanit që të mos e lejojmë këtë dhe do t’i kundërshtojmë me të gjitha mjetet legale synimet e EULEX-it që t’i mundësojë KEK-ut të marrë nën kontroll nënstacionin në veri”, thotë Millan Ivanoviq.

Ndërkohë, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, pohon se kanë filluar hetimet për të verifikuar nëse ka pasur ndërhyrje në sistemin energjetik të Kosovës nga ana e Serbisë, pasi që atje, pavarësisht avarisë dhe ndërprerjes së rrymës, ka një furnizim që vjen nga Serbia.

“Të shohim, nëse vërtet një gjë e tillë ka ndodhur, atëherë paraqet shkelje direkte të ligjit, sepse KEK-u është i vetmi operator i licencuar për furnizimin me energji elektrike të qytetarëve të Kosovës. Sigurisht që do të veprohet në bazë të kodit energjetik”,
thekson Buzhala.

Kurse, drejtori i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, Naim Zeqiri, thotë se kjo është një çështje teknike dhe i përket KEK-ut që të gjejë zgjidhjen.

“Qëndrimi i ministrisë është se çështja e nënstacionit në veri është çështje teknike që i përket KEK-ut dhe KEK-u duhet të gjejë zgjidhjen adekuate konform ligjit dhe rregullave që i zbaton”, thotë Zeqiri.

Ndryshe nga zyrtari i Ministrisë së Energjetikës mendon Ethem Çeku, ish-ministër i këtij sektori, tani deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai thotë se ndërhyrjet e Serbisë në sistemin energjetik të Kosovës ishin të nivelit qeveritar politik, andaj ai propozon që edhe Kosova të kundërpërgjigjet në formë reciprociteti, duke mos e përjashtuar si mundësi edhe ndërprerjen e linjës 400 kilovoltëshe, që përdor Serbia përmes Kosovës për të bërë transferimin e energjisë në vendet e rajonit.

“Ne duhet të vendosim dialogun edhe në kuadër të Brukselit. Ne duhet menjëherë të alarmojmë bashkësinë ndërkombëtare, por, në të njëjtën kohë, ne duhet të vendosim dhe reciprocitetin me Serbinë në këtë fushë, sepse Serbia në vazhdimësi e përdor lidhjen 400 kilovoltëshe në Kosovë, për të bërë tranzitin e energjisë elektrike në vende të ndryshme të rajonit”, thotë Çeku.

Ndërsa serbët e pjesës veriore nuk i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar te KEK-u, ata të pjesës jugore dhe disa pjesëve të tjera të Kosovës tashmë kanë kontrata me KEK-un dhe kanë filluar të paguajnë për rrymën e shpenzuar në kuadër të sistemit energjetik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG