Ndërlidhjet

Gazetarët: Raporti për lirinë e mediave, i saktë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Gazetarët kosovarë e vlerësojnë të saktë raportin e Reporterëve pa Kufij, në të cilin u vu në pah se liria e mediave në Kosovë ka shënuar rënie. Gazetarët, si shkak të kësaj rënieje, numërojnë presionet që media ka nga politika dhe grupet e interesit. Rrjedhimisht, sipas tyre, mbijetesa në tregun medial ka cenuar fjalën e lirë.


Gazetarët kosovarë thonë se nuk janë të befasuar nga rënia që ka shënuar liria e mediave në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Kosova, nga vendi i 58-të, ku ishte në vitin e kaluar, është radhitur këtë vit në të 75-in, 17 vende më poshtë.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Imer Mushkolaj, vlerëson se klasifikimi i tillë është shqetësues. Sipas tij, raporti legjitimoi edhe shqetësimet e këtij asociacioni se në Kosovë është duke munguar shprehja e lirë.

“Unë konsideroj se shkaku kryesor pse Kosova ka pësuar rënie për 17 pikë në krahasim me vitin e kaluar, është pikërisht presioni politik dhe presionet tjera. Kur them presionet politike, nuk e kam fjalën për presione ekskluzivisht nga Qeveria e Kosovës dhe agjenci tjera qeveritare, por edhe nga parti tjera politike. Gjithashtu ka pasur presione edhe nga biznesi”, thotë Mushkolaj.

Këtë vit, indeksi i lirisë së medias pasqyron shkeljet që janë bërë nga 1 shtatori i vitit 2008 deri më 31 gusht të këtij viti.

Pikërisht në këtë periudhë janë shënuar, ndër të tjera, edhe dy raste të shkeljeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, të potencuara edhe nga Reporterët pa Kufij.

Një nga ta, sipas Reporterëve pa Kufij, ishte kërcënimi me vdekje i gazetares së Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, Jeta Xharra, dhe tjetri, heqja e televizionit privat “Rrokum” nga rrjeti i transmetimit kombëtar, si pasojë e presioneve politike.

Drejtori i televizionit “Rrokum”, Migjen Kelmendi, fajëson Qeverinë Thaçi për gjendjen e tashme të mediave.

“Mendoj se raporti sjell një situatë shumë të saktë të degradimit, që e përjetoi gazetaria shqiptare në Kosovë për këto dy vjet të qeverisjes së Qeverisë Thaçi”.

“Në përgjithësi, akterët e gazetarisë në vend po kërkojnë rrugë që të krijojnë paqe, martesë me forcat e vendosjes, me grupet e interesit, për t’u bërë ballë kushteve të mbijetesës në tregun media”,
thotë Kelmendi.

Ndryshe, Mushkolaj, nga Asociacioni i Gazetarëve, konsideron se gjendja aktuale e mediave është më e keqe sesa para katër apo pesë vjetësh, kur në Kosovë administronte UNMIK-u.

“Veçanërisht e kam fjalën për udhëheqësit e mediave, shumica e të cilëve, fatkeqësisht në kurriz të gazetarëve, bëjnë çmos që të mbajnë lidhje të ngushta me Qeverinë”, thekson Mushkolaj.

Në anën tjetër, Migjen Kelmendi thotë se janë shtuar metodat, përmes të cilave po kërcënohen dhe frikësohen mediat kosovare. Ai sërish drejton gishtin kah ekzekutivi i vendit.

“Por, cilat janë ato forma, që sot dëshmojnë se jemi 17 vende më poshtë sesa vetëm një vit më parë?! Të shumta janë sot metodat që po përdoren nga qendrat e vendosjes për t’i intimiduar mediat dhe fjalën e lirë”.

“Sot, në një situatë kur po prezantohemi se jemi në një shoqëri të lirë, janë metodat e tilla, që duhet angazhimi i qytetarëve për të parë se si po kontrollohen mediat. E shihni themelimin e bordit të RTK-së, ku shihet implikimi i drejtpërdrejtë i Qeverisë përmes zëvendësit në përcaktimin e emrave të këtij bordi, e ai duhet të jetë servis në shërbim të qytetarëve”,
shprehet Kelmendi.

Ndryshe, pohimet se Qeveria e Kosovës po tenton t’i vë nën kontroll mediat, janë hedhur poshtë disa herë nga zyrtarët e lartë të ekzekutivit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë më herët se diskursi i përhapur në Kosovë se nuk ka media të lira, nuk qëndron, sepse, sipas tij, asnjë veprim i Qeverisë së Kosovës nuk është i orientuar kah kontrolli i mediave dhe kufizimi i lirisë së shprehjes.

Megjithatë, gazetarët mendojnë se vetëm një vetëdijesim qytetar se pa shtyp të lirë nuk ka shoqëri të lirë, mund të ndikojë në përmirësimin e lirisë së mediave në Kosovë.
XS
SM
MD
LG