Ndërlidhjet

Dënimet për trafikim njerëzor


Sektori për hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore në Policinë e Kosovës, bazuar në statistikat e veta, thotë se që nga viti 2004 e deri më tani, dukuria e trafikimit me njerëz ka shënuar rënie. Megjithatë, një konstatim i tillë hidhet poshtë nga Qendra Juridike e Kosovës, e cila ka qenë monitoruese e planeve të Qeverisë, lidhur me këtë çështje.


Luftimi i trafikimit me qenie njerëzore, sipas përfaqësuesve të organizatave të ndryshme në Kosovë, është një dukuri, e cila ka zënë vend mjaft të theksuar në vend. Ata thonë se janë bërë përparime në luftimin e kësaj dukurie, porse ka mbetur ende punë për t’u bërë.

Kryetari i Qendrës Juridike të Kosovës, Haki Demolli, thekson nevojën për një efikasitet më të shtuar të organeve të hetuesisë dhe gjyqësisë.

Në sferën e kriminalitetit dihet i ashtuquajturi numër i errtë i kriminalitetit dhe mendoj se ky numër i errtë i kriminalitetit në sferën e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë është dukshëm më i madh sesa ajo që prezantohet nga organet shtetërore, të cilat merren me luftimin e kriminalitetit”.

“Nëse i shikojmë evidencat e Policisë së Kosovës, zakonisht del një numër më i vogël në krahasim me gjendjen reale që paraqitet në terren”,
thotë Demolli.

Sipas tij, evidencat gjyqësore dhe të prokurorisë publike tregojnë një pasqyrë joreale. Demolli thotë se nëse shikohet fusha e ndjekjes penale, është shënuar ngecje, ndërkaq sa i përket parandalimit, sipas tij, është shënuar përmirësim i dukshëm.

“Në këtë drejtim, në radhë të parë kemi moszbulimin e numrit të madh të rasteve. Po ashtu, edhe politikat ndëshkimore, sipas rekomandimeve të Qendrës Juridike, nuk kanë qenë adekuate”.

“Kemi pasur raste kur kryerësit e këtyre rasteve kriminale nuk janë ndëshkuar në mënyrë proporcionale me veprën penale që e kanë kryer”,
thekson Demolli.

Rastet e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë trajtohen në bazë të Nenit 139 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, i cili dënon aktivitetin e secilit që merret me trafikimin e qenieve njerëzore, duke bartur mundësinë e dënimit me burgim prej dy deri në dymbëdhjetë vjet.

Shefi i Zyrës për marrëdhënie me publikun në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, thekson se gjatë pesë vjetëve të fundit, trafikimi i njerëzve ka shënuar rënie.

“Trafikimi është prezent në Kosovë, mirëpo analizat dhe statistikat që ne kemi nxjerrë nga viti 2004 e deri në vitin 2009, vërtetojnë se dukuria e trafikimit me njerëz është në rënie e sipër. Kjo analizë është bërë duke marrë parasysh pesë vjetët e fundit”, thekson Kelani.

Ndërkohë, në Kosovë është duke vazhduar fushata kundër trafikimit të njerëzve, e cila ka për qëllim sensibilizimin e opinionit për punën që po e bën Qeveria dhe institucionet e Kosovës në drejtim të luftimit të kësaj dukurie.

Kelani thekson se Polica e Kosovës, në koordinim me mekanizmat tjerë, janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për luftimin e trafikimit të njerëzve.

“Roli i policisë, përveç tjerash, është t’i evidentojë aktivitetet e kundërligjshme dhe të mbledhë dëshmi për këto aktivitete; këto të dhëna dhe dëshmi me kallëzim penal t’i dërgojë te prokurorët, të cilët janë të obliguar të bëjnë ndjekjen penale”, thotë Kelani.

Sipas hulumtimeve të shumta, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, Kosova tashmë është shndërruar në vend origjine dhe destinacioni për trafikim të qenieve njerëzore.

Ndryshe, numri në rritje i rasteve të trafikuara është potencuar së fundi edhe në raportin e progresit të Komisioni Evropian, i cili thekson nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG