Ndërlidhjet

logo-print

Havel: Pres që Bajden t’i riafirmojë lidhjet


Vaclav Havel

Vaclav Havel

Vizion i qartë për politikën amerikane për Evropën Qendrore dhe Lindore. Kjo është ajo që Vaclav Havel pret të dëgjojë nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden.



Ndërsa nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, udhëton nëpër Evropën Qendrore, ajo që pritet të dëgjohet është mbështetja e zëshme e lidhjeve transatlantike me rajonin. Një vizion i qartë për politikën amerikane në rajon.

Vaclav Havel, ish-disident, i cili drejtoi revolucionin që e rrëzoi komunizmin në Çekosllovaki, ka qenë gjithashtu edhe forca shtytëse e anëtarësimit të Republikës së Çekisë në NATO, ndërsa pasi e lëshoi zyrën, edhe në Bashkimin Evropian.

Së fundmi, ai ishte një prej figurave kryesore të Evropës Lindore dhe Qendrore, të cilat i dërguan një letër presidentit amerikan, Barak Obama, që të mos e harrojë rajonin e tyre gjatë përpjekjeve të Uashingtonit për t’i përmirësuar lidhjet me Rusinë.

Ishte e natyrshme që kur Radio Evropa e Lirë u ul me Havelin në zyrën qendrore të tij në Pragë, pyetja e parë t’i bëhet se çfarë pret nga vizita e Bajdenit.

“Njeriu mund të presë se ai do t’i artikulojë, në një mënyrë të re, interesat e Amerikës në rajon, se do ta bëjë të qartë se Amerika është e interesuar për ne dhe se dikush tjetër nuk na ka hequr nga horizonti i Amerikës”.

“Ai me siguri do ta shtrojë këtë, duke shpjeguar njëherësh se si i sheh gjërat administrata e re e Shteteve të Bashkuara. Pandeh se kjo është çështja kryesore e udhëtimit të tij nëpër Evropën Qendrore”,
tha Vaclav Havel.



Itinerari i Bajdenit i parashikoi ndalesat në Varshavë, Bukuresht dhe Pragë. Udhëtimi i tij në Poloni dhe në Republikën e Çekisë shihet si përpjekje për t’i qetësuar nervat e acaruara nga vendimi i administratës amerikane, që t’i rikonfigurojë planet rreth vendosjes së një pjese të sistemit mbrojtës raketor në këto dy vende.

Plani i administratës së Bushit kryesisht u kundërshtua nga opinioni i Çekisë. Por, një numër i konsiderueshëm i udhëheqësve politikë, të tashëm dhe të mëparshëm, përfshirë Havelin, e mbështetën atë si një mundësi për t’i ndihmuar aleatit të vet.

Disa madje u ndjenë të zhgënjyer kur plani u prish. Havel nuk thotë se Uashingtoni mori vendim të gabuar. Ai e sheh atë si pjesë të debatit të brendshëm në Shtetet e Bashkuara për koston dhe meritat e një sistemi të tillë.

Havel i tha Radios Evropa e Lirë se më shumë ishte i zhgënjyer nga debati i brendshëm në Republikën e Çekisë, i cili më shumë u përqendrua në vendosjen e radarit amerikan, sesa në shenjat gjithnjë e më agresive që i shfaq Rusia.

Havel këtu përmend mosmarrëveshjet rreth furnizimit të Evropës me gazin rus, ngufatjen e demokracisë, si dhe kritikon Moskën për luftën me Gjeorgjinë.

Sigurisht që ka shenja brengosëse nga Rusia. Besoj dhe gjithmonë kam theksuar se marrëdhëniet me partnerët si Rusia, duhet të bazohen në parimet e barazisë. Rusia nuk mund të shpresojë se gjithmonë do të trajtohet si partner i hendikepuar, dështimet e të cilit duhet të anashkalohen”.

“Ne, thjesht, duhet t’i aplikojmë ndaj Rusisë standardet e njëjta që i aplikojmë për vendet tjera në botë, qoftë ajo Kina, Republika e Çekisë apo Uruguai”, tha ish-presidenti Vaclav Havel për Radion Evropa e Lirë
.

(V.P.)
XS
SM
MD
LG