Ndërlidhjet

Gara për Prishtinën


Prishtina
Prishtina

Kandidatët për kryetar të Prishtinës u premtojnë qytetarëve se nën mandatin e tyre do të ndërtojnë një Prishtinë të pastër, qytet që funksionon, me komunikacion modern e ujë të pijshëm. Ndërkohë, gjatë debateve nuk mungojnë as kritikat e ndërsjella.


Kandidatët për kryetar të Prishtinës nga partitë më të mëdha politike vazhdojnë fushatën me premtimet për një Prishtinë të pastër, me komunikacion modern, parqe e hapësira të gjelbëruara, ujë të pijshëm dhe siguri në rrugë e në shkolla.

Gjatë fushatës, një pjesë e madhe e debateve përqendrohet edhe në akuza të ndërsjella.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, premton një Prishtinë moderne, të cilën ai thotë se tash e dy vjet vetëm se ka filluar ta ndërtojë.

Kurse, për problemet dhe vështirësitë në punën e tij, ai e fajëson Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, ka aplikuar standarde të dyfishta dhe nuk e ka mbështetur financiarisht Prishtinën.

“Veçmas këtë vit e kemi hetuar në lëkurën tonë këtë, pasi që Qeveria, gjatë këtij viti, nuk e ka financuar drejtpërdrejt asnjë projekt në Komunën e Prishtinës, derisa ka prerë shirita dhe ka financuar shumë projekte në komuna tjera”.

“Këtë e shoh si mungesë të madhe të një qëndrimi shtetëror të Qeverisë sonë, e cila duhet të funksionojë si shtet, e jo si parti politike. Kjo po tregon se Qeverinë e kemi Qeveri të partisë, e jo të shtetit”,
thotë Mustafa.

Derisa kryetari aktual dhe kandidati për mandatin e ardhshëm, Isa Mustafa, një pjesë të fajit për sfidat në realizimin e disa projekteve ia vesh Qeverisë së Kosovës, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Astrit Salihu, thotë se kryetari aktual nuk ka ditur të menaxhojë me Prishtinën.

“Këtu kemi degradimin dhe devalvimin e jetës së qytetarëve, sepse qytetarët nuk janë fajtorë. Fajtor është menaxhimi i dobët i komunës dhe mungesa e vizionit, ose e planit urban të komunës. Ajo që mund të porosis, është se nën udhëheqjen time, premtoj, garantoj dhe siguroj secilin qytetar se këto gjëra nuk do të ndodhin”, shprehet Salihu.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri, kandidat për kryetar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përveç reformave në shumë fusha, përkushtimit për një Prishtinë të pastër dhe me perspektivë, premton edhe fillimin e reformave nga ndërtesa e komunës, përkatësisht administratës së Prishtinës.

“Reforma e brendshme e administratës do të ndodhë në vitin e parë. Do të bëhet debati dhe konsultimet për vendime dhe këto vendime, pastaj, do të ekzekutohen përmes risistemimit të punonjësve, rishikimit funksional, që nënkupton risistemimin e shërbimeve dhe, njëkohësisht, funksionalizimin e zyrave lokale, të cilat duhet të funksionojnë në zyrë me shërbimin dhe jo vetëm me shërbyesin civil”, thekson Tahiri.

Ndërkohë, Vegim Gashi, kandidat i përbashkët i Aleancës Kosova e Re dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë, premton një angazhim fillestar në perspektivën ekonomike, zbutjen e papunësisë dhe kujdesin social.

“Një prej aktiviteteve të mia, prej ditës së parë, do të jetë krijimi i një konference donatorësh për themelimin e një fondi, i cili do të ndihmojë zhvillimin e ekonomisë, do të kontribuojë në zvogëlimin e papunësisë dhe në ofrimin më të mirë e më të avancuar të shërbimeve sociale”, thotë Gashi.

Përderisa premtimet e kandidatëve për kryetar të Prishtinës vazhdojnë në tubime e debate të shumta në të gjitha pjesët e kryeqytetit të Kosovës, qytetarët i marrin me rezerva këto premtime dhe zotime.

Për Arben Ahmetin, kjo është një fushatë kampione për kah premtimet për investimin e miliona eurove nëpër komuna. Por, ai megjithatë shpreh rezerva nëse Kosova dhe buxheti i saj ka aq miliona, sa premtohen për secilën komunë.

“Nëse i shohim dy partitë kryesore, ato qeverisin në qendër, ndërkohë që në pushtetin lokal nuk lënë gjë të keqe pa i thënë njëra-tjetrës. Besoj që një fushatë më e sinqertë dhe një ofertë më e sinqertë për ne, ndoshta do të na bindte, mirëpo me prezantime konkrete, me fakte konkrete se çka do të mund të ndryshojnë brenda periudhës së caktuar”, thotë Ahmeti.

Ndërkaq, disa qytetarë thonë se, bazuar në ofertat e kandidatëve, nuk po shohin interes që të dalin në votime.

“Jam Naser Binaku, taksist nga Prishtina. Sa u përket votimeve, për t’i besuar, nuk po i besoj aspak asnjë partie, pa marrë parasysh. Këto janë premtime të kota. Këto i kanë vetëm sa për karrigen e vet. Sa na përket neve, taksistëve, kurrfarë premtimi nuk na kanë dhënë; kurrfarë rregulloreje që të na bëjnë një zgjidhje, s’ka. Për këtë edhe s’po shoh arsye për të votuar”, thotë qytetari Binaku.

Gara për kryetar të Prishtinës paraqet sfidën më të madhe në procesin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit.

Prishtina është e rëndësishme për secilën nga partitë politike garuese, jo vetëm si kryeqytet, por edhe si komuna me më së shumti votues.

Për mandatin e ardhshëm, parashihet që statusi i Prishtinës të rregullohet edhe me ligj.
XS
SM
MD
LG