Ndërlidhjet

Personat me aftësi të kufizuara kanë moton e tyre: “Njerëzit mund të jenë të ndryshëm, por duhet të kenë mundësi të barabarta”. Në Kosovë, kësaj kategorie të shoqërisë nuk i jepet hapësirë sa duhet dhe vështirësitë në të cilat kalon, janë mjaft të mëdha, thotë Mejreme Llumnica, anëtare e “Hendikos”-it, shoqatë kjo që merret me çështjen e aftësisë së kufizuar.

“Në përgjithësi, personat me aftësi të kufizuara janë raste sociale. Papunësia është problemi më i madh që haset te personat me aftësi të kufizuara, sepse janë të varur ekonomikisht. Është problem të vihet deri te qasja për punësim, por edhe barrierat, sa kam vërejtur unë, për shkak të aftësisë së kufizuar”, shprehet Llumnica.

Duke e marrë parasysh rëndësinë, rolin dhe vështirësitë e familjes në kujdesin për personat me aftësi të kufizuara, në Kosovë ekziston ligji për përkrahje materiale të këtyre familjeve. 20,500 persona me aftësi të kufizuara marrin ndihmë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kështu thotë Basri Ibrahimi, drejtor i Departamentit të Administratës Pensionale të Kosovës.

“Ligji parasheh që personat me aftësi të kufizuara ta kenë të drejtën e pensionit. Të gjithë personat, nga 18 deri në 65 vjeç, që i plotësojnë kushtet ligjore, e fitojnë të drejtën e pensionit. 20,500 persona janë tash për tash në pagesë”, thekson Ibrahimi.

Afrim Maliqi, ushtrues detyre i drejtorit të “Hendikos”-it, thotë se ndihma që marrin, nuk i përmbush nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Ai nuk shprehet i kënaqur me trajtimin e institucioneve të vendit për këtë kategori të shoqërisë.

“Personat me aftësi të kufizuara janë shtresa më e varfër dhe më e rrezikuar e shoqërisë kosovare. Ata nuk gëzojnë mbështetje institucionale”,
shprehet Maliqi.

Edhe barrierat arkitektonike janë pengesë me të cilën ballafaqohen çdo ditë njerëzit me aftësi të kufizuara; rrugët, shkollat, objektet e ndryshme, duke u nisur nga ndërtesa e qeverisë, ku kjo kategori nuk ka qasje, për shkak të shtigjeve të posaçme që duhet t’i kenë, thotë Maliqi.

“Ekziston ligji për ndërtim dhe urdhëresa administrative për kushte teknike për objektet që duhet t’i kenë, por ai ligj nuk zbatohet dhe kjo e vështirëson jetën e kësaj shtrese edhe më shumë”, vlerëson Maliqi.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash për përmirësim të gjendjes dhe mundësive të personave me aftësi të kufizuara, përveç miratimit të ligjit, i cili është duke u implementuar. Kështu thotë Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

“Në vitet e ardhshme do të realizohet në masë të madhe adoptimi i ndërtesave, rrugëve, për qasje nga ana e personave me aftësi të kufizuara. Tash, së voni, kemi përuruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës një ambulancë-lift, që do t’u mundësojë një qasje më të lehtë”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, Afrim Maliqi pohon se për këtë kategori të shoqërisë mungon edhe mbështetja me furnizim të pajisjeve ortopedike dhe sanitare nga ana e institucioneve. Kjo, sipas tij, bëhet prej organizatave joqeveritare, pikërisht nga “Hendikos”-i. Mirëpo, shton ai, një gjë e tillë nuk siguron qëndrueshmëri për këta njerëz.

“Nëse do qeveria jonë që t’i inkuadrojë këta njerëz, duhet t’i integrojë që të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë. Këta njerëz janë të përjashtuar nga shoqëria”, shprehet ai.

Mirëpo, përkundër realizimit të disa projekteve nga ana e institucioneve të vendit, kërkesat për personat me aftësi të kufizuara janë ende mjaft të mëdha. Zoti Krasniqi, nga Qeveria e Kosovës, premton partneritet në këtë drejtim.

“Kemi pasur një partneritet të mirë, por kërkesat e dimë që janë më të madha, por do të realizohen në vazhdimësi”,
thekson Krasniqi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përkrah financiarisht fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18-vjeçare me shumën prej 100 eurosh, për të kaluar pas kësaj moshe në pensionin invalidor prej 45 eurosh.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG