Ndërlidhjet

logo-print

Gjenden tri kufoma në lumin Tisa


Lumi Tisa

Lumi Tisa

Policia e Hungarisë dhe ajo e Serbisë kanë gjetur kufomat e tre personave të mbytur në lumin Tisa, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet për të tjerët, thanë zyrtarët e policisë. Megjithatë, ata nuk dhanë detaje për numrin e të zhdukurve.


Autoritetet në Kosovë thonë se nuk ka informata zyrtare nga shteti hungarez për viktima, apo përmbysjen eventuale të ndonjë barke në lumin Tisa në Hungari, ku supozohet të kenë qenë 19 persona.

Sipas tyre, rasti tani ka kaluar në çështje të kalimit ilegal të kufirit dhe trafikimin me qenie njerëzore, gjë që po hetohet nga policia hungareze dhe ajo e Kosovës.

Njoftimet rreth ngjarjes në lumin Tisa në Hungari, ku nga mesi i tetorit supozohet të jetë përmbysur një barkë me rreth 19 udhëtarë, edhe pse ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet e Hungarisë, kanë shtyrë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës të fillojë bashkëpunimin edhe me forcat e rendit në Kosovë.

Kështu bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kosovare, Albana Beqiri, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ku u publikuan të rejat e fundit për përmbysjen eventuale të një barke në lumin në kufi të Serbisë me shtetin hungarez.

Ajo tha se rasti i dyshuar tashmë ka kaluar në një çështje që ka të bëjë me kalim ilegal të kufirit dhe trafikim të qenieve njerëzore.

“Për vetë ndjeshmërinë dhe natyrën që ka marrë ky rast, ju tashmë po e shihni që ka të bëjë me kalim ilegal të kufirit dhe trafikim të qenieve njerëzore, autoritetet e rendit tashmë e kanë marrë rastin në dorë”.

“Çdo informacion që do të vijë në zyrën konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme, qoftë nga zoti Mirdita, qoftë nga zoti Kiçmari, do t’i dërgohet Ministrisë së Rendit dhe Policisë së Kosovës”, tha Beqiri.

Beqiri theksoi se të gjitha shifrat për të zhdukur janë të hamendësuara dhe të bazuara kryesisht në deklaratat e personit, që konsiderohet si një nga tre të mbijetuarit e kësaj tragjedie.

Pra, bëhet fjalë për Blerim Ramën, të cilin autoritetet hungareze e kanë gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore buzë lumit Tisa bashkë me fëmijët e tij.

E reja e fundit në gjithë këtë, sipas saj, ka të bëjë me informacionin e ambasadorit kosovar në Gjermani, Vilson Mirdita.

Bëhet e ditur se Mirditën e ka kontaktuar kosovari Zenun Koci, që ishte njoftuar më parë nga autoritetet hungareze në lidhje me identifikimin e një kufome të gjetur në Hungari, në rrobat e së cilës është gjetur një letërnjoftim me emrin Brahim Koci.

Por, edhe ky informacion, sipas Beqirit, nuk është zyrtar. Ajo njoftoi se Zenun Koci ka shprehur gatishmërinë për të udhëtuar në Hungari dhe për ta identifikuar trupin e pajetë.

Policia e Hungarisë dhe ajo e Serbisë kanë gjetur kufomat e tre personave të mbytur në lumin Tisa, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet për të tjerët.

Policitë e dy vendeve nuk konfirmuan nëse bëhet fjalë për aksident të ndonjë mjeti lundrues dhe nuk thanë se sa njerëz të tjerë mund të konsiderohen të zhdukur.

“Është e mundur që këta njerëz të jenë përpjekur ta kalojnë kufirin me ndihmën e trafikantëve të qenieve njerëzore", transmetohet t’u ketë thënë agjencive ndërkombëtare të lajmeve zëdhënësi i policisë në qarkun Congrad, Janosh Pal.

Këtë dyshim, tashmë po e heton edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i policisë kosovare, Baki Kelani, sqaroi:

“Mund të konfirmojmë faktin se Zyra Ndërlidhëse e Interpolit në Prishtinë ka pranuar një kërkesë për bashkëpunim nga Zyra Kombëtare e Interpolit hungarez, e cila ka të bëjë me identifikimin e disa personave, që dyshohet se mund të jenë shtetas të Republikës së Kosovës të involvuar në atë rast”, u shpreh Kelani.

Ai shtoi se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale janë ndërmarrë të gjitha masat operative hetimore për identifikimin e personave të dyshuar të mundshëm që mund të jenë të përfshirë në rastin e trafikimit me qenie njerëzore.

Kelani bëri të ditur se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, atë të Brendshme dhe me autoritetet hungareze është duke bërë përpjekje për të dërguar zyrtarë të saj policorë në Hungari, si ndihmë për forcat hungareze të rendit.

Mësohet se në listën që ka arritur në Policinë e Kosovës figurojnë emrat e 6 personave të dyshuar për përfshirje të çfarëdoshme në këtë rast, qoftë në cilësinë e organizatorit të trafikimit, apo të pjesëmarrësit në të.(E.P.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG