Ndërlidhjet

Sot është afati i fundit që Teherani të vendosë nëse do të pranojë planin që pasurimi i uraniumit të procedohet jashtë vendit, për t’i zvogëluar shqetësimet rreth programit bërthamor të Iranit.





Plani synon të ofrojë garanci se Irani nuk ka sasi të mjaftueshme të uraniumit të pasuruar për të bërë bombë bërthamore.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Muhamed El-Baradei, u ka dhënë Iranit, Rusisë, Francës dhe SHBA-ve afat për ta marrë në shqyrtim planin, i cili parashikon që Irani të dërgojë 75% të uraniumit të papërpunuar jashtë vendit, për ta shndërruar atë në karburant, që do të shërbente në reaktorin e Teheranit për prodhimin e izotopeve për qëllime mjekësore.

Deri tash, planin e kanë miratuar Rusia , Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Shenon Kajll, nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime dhe Paqe në Stokholm, thotë se e mira e këtij propozimi është se do të heqë nga Irani një sasi të uraniumit të pasuruar, të nevojshme për ndërtimin e bombës.

“Përparësi në këtë marrëveshje është fakti se mundësitë e përdorimit të uraniumit të pasuruar për armë bërthamore do të zvogëlohen gradualisht, duke e dërguar një sasi të konsiderueshme jashtë vendit”, thotë Kajll.

Uraniumi parashihet të dërgohet në Rusi, ku do të shndërrohet në karburant dhe si i tillë nuk mund të përdoret për armë bërthamore.

Por, sipas Kajllit, ky lehtësim do të jetë afatshkurtër, pasi ekspertët vlerësojnë se tri të katërtat e uraniumit, që aktualisht Irani do t’i nxjerrë jashtë vendit, do të mund të rikrijohen vetëm brenda një viti dhe kjo do të ishte e mjaftueshme për të sajuar bombë bërthamore.

Por, nuk përfundon me kaq shqetësimi i ndërkombëtarëve për këtë marrëveshje, e cila në dukje e kushtëzon Iranin për bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, sepse ekziston rreziku që Irani të ketë një program të fshehtë bërthamor, prapa këtij civil.

“Dëmi që mund të shkaktojë kjo marrëveshje është legjitimimi i programit të pasurimit ne sytë e vendeve tjera, ndërsa në anën tjetër Irani do t’i bëjë presion Këshillit të Sigurimit të KB për ta tërhequr rezolutën me të cilën i kërkohet ta ndal programin e pasurimit”, pohon Kajll.

Nisur nga kjo, ai mendon se vlera kryesore e planit të El-Baradeit është ngritja e besimit ndërmjet palëve në konflikt.

Por, kjo, sipas tij, nuk e zvogëlon rrezikun që Irani mos ta shkelë një ditë obligimin e marrë për të mos sajuar armë bërthamore edhe gjatë kohës së marrëveshjes.

“Ekziston frika se, në njëfarë mënyre, Irani do ta shkelë programin e pasurimit dhe të vendosë ta ripasurojë pjesën e mbetur të uraniumit, të papasuruar në nivel të lartë të armatimit. Kjo madje është më lehtë të bëhet me uranium natyral sesa me uranium të papasuruar. Irani, në të vërtetë, do të mund ta bëjë këtë për një kohë shumë të shkurtër”, thotë Kajll.

Në qoftë se Irani e pranon marrëveshjen me planin El-Baradei, ai do të presë gjithashtu edhe përfitimet, nga fakti që do ta shmangë vëmendjen nga nevoja e të qenit në qendër të vëmendjes për aspektet tjera të programit bërthamor.

Fundja, vetëm pak kohë më parë u zbulua se Qeveria iraniane është duke ndërtuar diçka të ngjashme në mënyrë sekrete.

(V.P.)
XS
SM
MD
LG