Ndërlidhjet

Prishtina, përcaktuese e fatit të koalicionit


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Analistët vlerësojnë se fushata parazgjedhore në Kosovë ka një rrjedhë normale. Kurse, gara për Prishtinën cilësohet si garë që do të përcaktojë jo vetëm fatin e koalicionit PDK–LDK, porse do të paraqesë edhe betejë për mbijetesën e LDK-së në skenën politike.


Fushata parazgjedhore në Kosovë po ecën normalisht dhe pa ndonjë risi të madhe në skenën politike, vlerësojnë analistët.

Sipas tyre, e reja e kësaj fushate është heqja e premtimeve të mëdha politike nga fjalori i politikanëve, kurse, në aspektin partiak, analistët e vlerësojnë sidomos betejën për Prishtinën ndërmjet dy partive më të mëdha, të cilat janë edhe partnere në koalicionin qeverisës në nivelin qendror.

Beteja për Prishtinën, nga analistët vlerësohet si vendimtare për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për t’u rikthyer si një prej forcave kryesore politike, si dhe ambiciet e mëdha të Partisë Demokratike të Kosovës, në anën tjetër, që të marrë më në fund edhe Prishtinën nën drejtimin e saj.

Analisti Ramush Tahiri, me gjithë sigurinë që kanë shprehur drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së për ruajtjen e koalicionit, e sheh në rrezik këtë koalicion, sidomos në rast se LDK-ja e humb Prishtinën.

“PDK-ja është e koncentruar në Prishtinë, sepse Prishtina është shumë domethënëse për PDK-në. Nëse arrin që kandidati i saj të fitojë, atëherë PDK-ja, të themi, e ka të sigurt koalicionin, si dhe rezultatet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu, LDK-ja, nëse humb në Prishtinë, rrezikon shpërbërjen”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, analisti Bardh Hamzaj vlerëson se gara për Prishtinën po shndërrohet edhe në garë për kthimin e LDK-së. Isa Mustafën, ai tashmë e sheh si një figurë politike, nga e cila varet se a do ta mbajë apo jo LDK-në në top-hierarkinë e skenës politike.

“Fushata e Isa Mustafës definitivisht nuk është vetëm për Prishtinën. Domethënë, Isa Mustafa nuk është vetëm kandidat i zakonshëm, si kandidatët për komunat tjera. Këtu, LDK-ja, në njëfarë mënyre, e ka atë shekspirianen – ‘të jesh apo të mos jesh’”.

“Isa Mustafa faktikisht paraqiti një fytyrë të re të LDK-së dhe sinjalizoi se LDK-ja do të ketë një fjalor shumë më të ashpër, sesa që është vërejtur gjatë këtyre dy vjetëve të bashkëqeverisjes me PDK-në”, thotë Hamzaj.

Rezultati zgjedhor nëpër komuna, sado që nuk besohet se mund të rrezikojë koalicionin në qeverinë qendrore, megjithatë, sipas Bardh Hamzajt, mund të lë pasoja në ristrukturimin e koalicionit PDK-LDK.

Sidomos në Prishtinë, por edhe në komunat tjera, sipas të gjitha gjasave, do të lë pasoja në koalicionin qeverisës. Unë nuk po them se do të ndikojë në prishjen e koalicionit, por, sidoqoftë, mund të ketë një ristrukturim. Domethënë, nëse dikush humb shumë komuna e tjetri fiton shumë prej këtyre kandidatëve, prej partnerëve të koalicionit, atëherë një ristrukturim i qeverisë është i domosdoshëm”, shprehet Hamzaj.

Në anën tjetër, analisti Ramush Tahiri vlerëson edhe detaje, që, sipas tij, mund të cilësohen si devijime në këtë fushatë. Ai mendon se nuk është në rregull që kryeministri Hashim Thaçi premton investime nëpër komuna me paratë e buxhetit të Kosovës.

“Për mendimin tim, nuk është në rregull që kryeministri i Kosovës merr pjesë si lider i partisë në fushatë dhe jep premtime si kryeministër i Kosovës me paratë e buxhetit, se do të investojë në këtë apo atë komunë, sepse një e drejtë e tillë i takon edhe partnerit të koalicionit”.

“Dhe, do të ishte në rregull që, pasi kryeministri po bën një propagandë të tillë, edhe Ramë Manaj të dalë dhe të thotë... nëse kryeministri premton 155 milionë euro ta zëmë në Prizren, atëherë Manaj të thotë se ne japim pesë më shumë”,
thotë Tahiri.

Analistët vlerësojnë po ashtu se partitë politike e kanë përqendruar tërë energjinë e tyre në promovimin e kandidatëve për kryetar komunash, përderisa, sipas tyre, i kanë harruar kandidimet për këshilltarët për kuvendet komunale.

Andaj, thonë ata, mund të ngjajë që në disa komuna, kryetari të zgjidhet nga një parti e caktuar, kurse shumicën ta kenë partitë tjera.

Sidoqoftë, vlerësimet e analistëve janë se fushata ka një rrjedhë normale, kurse gjuha e përdorur deri më tani, sipas tyre, është në suaza të një fjalori të lejuar politik.
XS
SM
MD
LG