Ndërlidhjet

Pse emigrojnë kosovarët?


Emigrimi i kosovarëve në vendet e ndryshme të botës nuk është në rënie, por ka tendenca të rritjes, thonë përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut në Prishtinë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Arsyet e emigrimit, sipas tyre, janë situata e rëndë ekonomike dhe vështirësitë për të qarkulluar në Evropë dhe botë.

Ekskluzivisht, motivi i emigrimit është situata ekonomike në familjet kosovare dhe kjo mund të vështirësohet, nëse kushtet për rritje ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës nuk përmirësohen në mënyrë substanciale.

Këto mendime i japin përfaqësues të ndryshëm të organizatave joqeveritare në Kosovë.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, sqaron:

“Amortizimi i situatës së rëndë ekonomike dhe sociale, është faktor kyç, që ndikon që numri i atyre, të cilët përpiqen të shkojnë në vendet tjera, të rritet. Ata shumë herë ballafaqohen me rrezik për jetë, siç ndodhi rasti i fundit në kufi midis Hungarisë dhe Serbisë”.

Shalës thotë se në Kosovë janë akumuluar shumë probleme dhe të gjitha këto nga një menaxhim jo i mirë për këtë fakt dhe, sipas tij, është diskutabile se ky problem mjaft madhor do të zgjidhet në një të afërme të shpejtë.

“Nuk ka fonde, nuk ka mundësi që të hapet perspektiva për të rinjtë. Kategoritë, të cilat janë të rrezikuara, gjithashtu nuk e gjejnë veten në Kosovë”.

“Prandaj po them, nëse përjashtohet 20 për qind e popullatës, që mund të jetojë dhe të mbijetojë, të tjerët janë në gjendje shumë të rëndë dhe këta janë faktorët kryesorë që ndikojnë që përpjekjet për t’u larguar nga Kosova të rriten dita-ditës”,
shpjegon Shala.

Ndërkaq, një anketë e bërë nga Instituti “Riinvest”, tregon se statistikat demografike të emigrantëve janë të ngjashme me ato të popullsisë së Kosovës.

Mosha mesatare e emigrantëve është 28 vjeç, që është e ngjashme me mesataren e popullatës së Kosovës.

Përfaqësuesi nga Instituti “Riinvest”, Alban Zogaj, thotë se duhet ndërmarrë masa adekuate për parandalimin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës

“Prej problemeve kryesore, me të cilat ballafaqohet popullata e Kosovës janë papunësia dhe varfëria. Në këto kushte të një papunësie të lartë, njerëzit, të rinjtë, kanë një tendencë të largohen prej vendit në mënyrë që të gjejnë një punë atje, pastaj ta ndihmojnë familjen, ose të emigrojnë si familje”, pohon Zogaj.

Një problem tjetër, sipas Zogajt, janë edhe vështirësitë që u paraqiten qytetarëve kosovarë për të qarkulluar në Evropë dhe botë.

Zogaj thekson se në mungesë të vizave, shumë kosovarë gjejnë mënyra të ndryshme për të shkuar në vendet perëndimore.

“Problemi është në dy fusha: e para, situata ekonomike e rëndë, zhvillimi shumë i ulët ekonomik dhe një papunësi e madhe - kjo shtyn në migrim; dhe, e dyta është edhe lëvizja e lirë.”

“Po të kishte një lëvizje më të lirë, atëherë kjo tendencë do të ishte më e ulët, sepse do të punonte ndonjë anëtar i familjes në ndonjë vend të Evropës, do ta ndihmonte gjithë familjen dhe do të kishte një migrim më të ulët sesa çfarë është për momentin”,
shpjegon Zogaj.

Ndërsa, në një hulumtim të Forumit “Forum 2015”, kohë më parë mbi diasporën dhe politikat e migrimit, është potencuar se Kosovës aktualisht i mungojnë politikat lidhur me emigrimet.

Për më tepër vlerësohet të jetë e kuptueshme që në një papunësi rreth 40 për qind, ekziston një potencial i lartë për emigrim.

Rreth 49.8 për qind, ose gjysma e grupmoshës 20 deri 35 vjeçe kanë tendencë për emigrim.

Zyrtarë qeveritarë vazhdimisht kanë theksuar se do të krijojnë infrastrukturë të nevojshme për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që këta të fundit të mos emigrojnë në vende të ndryshme perëndimore, për të kërkuar jetë më të mirë.

Ata kanë premtuar se do të krijojnë kushte më të mira për të gjithë dhe fenomeni i emigrimit t’i takojë së kaluarës.

Ndryshe, emigrimi nga Kosova ka filluar në fund të viteve ’60-të dhe në fillim të viteve ’70-të.
XS
SM
MD
LG