Ndërlidhjet

Podgoricë: Mali i Zi s'i ka marrë tokë Kosovës


Pamje nga Podgorica
Pamje nga Podgorica
Ministria e Brendshme e Malit të Zi ka thënë se ky vend asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale kundër shteteve fqinje, por me siguri se nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit të tij.


Këto komente u bënë pas raporteve për protesta të banorëve të disa fshatrave të komunës së Pejës, për shkak të vendosjes së shenjave lajmëruese në vijën kufitare ndërmjet Malit të Zi e Kosovës dhe, rrjedhimisht, për shkak të hyrjes në territor brenda Kosovës.

Autoritetet e Malit të Zi kanë thënë se këto janë shenja të lajmërimeve dhe jo shenja kufitare.

Banorët e fshatrave të Pejës, siç kanë raportuar mediat, kanë shprehur pakënaqësi për shkak se policia kufitare e Malit të Zi ua ndalon hyrjen në pasuritë e tyre në rripin kufitar.

Ministri i Jashtëm, Millan Roçen, ka deklaruar se Mali i Zi nuk dëshiron ta politizojë çështjen e kufirit me Kosovën.

***********************************************************************


Demarkacioni i kufirit Kosovë - Mali i Zi

Një javë pas përfundimit të demarkacionit të kufirit me Maqedoninë, nis debati për shenjimin tjetër të kufirit - atij mes Kosovës e Malit të Zi.

Autoritetet kosovare theksojnë se procesi i demarkacionit me këtë shtet fqinj do të jetë i lehtë dhe nuk do të zgjasë aq shumë, siç ndodhi me Maqedoninë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, shpjegon arsyet:

“Sa i përket demarkacionit, presim që në momentin, që dy qeveritë, përmes dikastereve përkatëse, pajtohen për të ndërmarrë një proces të tillë, ajo edhe do të ndodhë dhe nuk presim që të kemi probleme, sepse absolutisht nuk ka ndonjë kontestim të natyrës siç ka qenë rasti me Maqedoninë, për shkak të marrëveshjes së vitit 2001”.


Autoritetet malaziase sqarojnë se së shpejti do të dalin me një qëndrim në lidhje me këtë proces.

Vera Kulish nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se, sipas të gjitha gjasave, javën e ardhshme do të ketë një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Edhe pse autoritetet flasin për raporte të mira fqinjësore, vendosja e tabelës “Mirë se vini në Mal të Zi”, brenda territorit kosovar, i ka zemëruar banorët në brezin kufitar, të cilët madje edhe kanë protestuar.

Megjithatë, Memli Krasniqi fton për mospolitizim të kësaj çështjeje. Mirëpo, ai nuk tregon nëse kanë marrë sqarime zyrtare nga autoritetet malaziase lidhur me këtë incident.

“Nuk duhet të nxirren gjërat jashtë kontekstit. Është e panevojshme, që të krijohen sensacione nga gjërat e vogla”.

“Ne nuk kemi probleme me Malin e Zi, kemi marrëdhënie shumë të mira. Ata e kanë shprehur në vazhdimësi mirëkuptimin dhe respektin për RKS, kemi shumë gjëra që na lidhin”
, thotë Krasniqi.

Qeveria e Kosovës është e bindur se në zgjidhjen e çështjes së kufirit me Malin e Zi do të merret për bazë Kushtetuta e vitit 1974.

“Ne besojmë se kufijtë e 1974-ës do të jenë baza, që do ta përfundojë një proces të tillë demarkacioni, kurdo që ai të ndodhë mes Kosovës e Malit të Zi”,
shprehet Krasniqi.

Kontestit kufitar me Maqedoninë i janë dashur muaj të tërë negociatash për t’u zgjidhur një javë më parë, me ratifikimin e marrëveshjes nga kuvendet e të dy shteteve.

Në këto negociata ka qenë e përfshirë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare. Por, për demarkacionin e kufijve me shtetet tjera, kjo zyrë thotë se nuk do të jetë e përfshirë.

“Zyra Civile Ndërkombëtare nuk është e përfshirë. Nëse ka ndonjë çështje që lidhet me kufijtë, atëherë ajo duhet të zgjidhet mes dy kryeqyteteve”,
thekson zëdhënësi i ICO-së, Kai Muller Burner.

Ndryshe, procesi i demarkacionit me Maqedoninë, për shkak të marrëveshjes kontestuese të Maqedonisë me ish-Republikën Federale të Jugosllavisë së vitit 2001, qe përfshirë në propozimin gjithëpërfshirës për statusin.

Por, shenjimi i kufijve me Malin e Zi, Shqipërinë e Serbinë nuk parashihet në propozim.

Autoritetet kosovare theksojnë se problem mbetet shenjimi i kufirit kosovaro-serb.

Albana Isufi
XS
SM
MD
LG