Ndërlidhjet

Bajden: SHBA-të thellë të involvuara në Evropë


Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Biden, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë
Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Biden, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë

Zv.presidenti i SHBA-ve, Xho Bajden, i tha Radios Evropa e Lirë, se ka pasur sukses t’i bindë aleatët në Evropën Lindore, se nuk duhet të shqetësohen për përpjekjet e Uashingtonit për ripërtëritje të raporteve me Moskën.



Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, tha se përpjekjet për përmirësim të raporteve me Rusinë, nuk do të bëhen në kurriz të marrëdhënieve me aleatët në Evropën Lindore.

“Ne dëshirojmë shtypjen e pullës së ripërtëritjes. Por, ne nuk do ta shtypim pullën e harresës. Këtë e kam bërë absolutisht të qartë. E kam bërë të qartë se janë dy gjëra, dy parime, për të cilat nuk mund të zhvillohen negociata”.

“E para është se nuk ka sfera të influencës dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë, ose të jemi pjesë e saj. E dyta, nuk ka forcë të vetos për aftësinë e secilit vend, në secilën pjesë të Evropës, ose çdokund tjetër në botë, që të bëjnë vetë vendime, se në cilat aleanca ose unione dëshirojnë të bashkohen”,
tha Xho Bajden, në intervistën ekskluzive për Radion Evropa e Lirë.

Vizitën e tij në Varshavë, Bukuresht dhe Pragë, ai e bëri në kohën kur këta aleatë kanë shqetësime se vendimi aktual i presidentit Barak Obama, për tërheqje nga planet e administratës Bush, për mbrojtjen raketore amerikane në Evropë, paraqet kapitullim para Rusisë, e cila fuqishëm e kishte kundërshtuar këtë sistem.

Ish-presidenti Bush kishte planifikuar, që pjesë të kësaj mbrojtjeje të ndërtohen në Poloni dhe Çeki.

Polonia dhe Çekia thanë se do të marrin pjesë në sistemin e ri të mbrojtjes raketore.

Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, po ashtu, është përpjekur t’i qetësojë shqetësimet se obligimet e jashtëzakonshme, universale dhe mbarëbotërore të Shteteve të Bashkuara në Korenë Veriore, Pakistan dhe në Iran, po çojnë kah ajo që administrata Obama do ta neglizhojë Evropën Lindore.

Në këtë aspekt, porosia i tij ishte:

“Mesazhi im është i thjeshtë: kjo është saktësisht përse ne duhet të jemi thellësisht në involvuar në Evropë. Me qëllim që t’i plotësojmë këto obligime, ne na duhet një Evropë e sigurt, e tërë, e lirë dhe që zgjerohet”.


Duke u shprehur për Rusinë, ai tha se ky vend ndodhet në periudhën e “vendosjes së identitetit dhe të rolit të saj të ri”.

“Rusinë e shikoj me sy të hapur si një realist. Pritja ime është se Rusia do të vendosë gjatë dekadës së ardhshme se interesat e saj qëndrojnë në më tepër integrime, e jo në një kurs tjetër, për të cilin, siç duket, mendojnë disa në Rusi”.

“Ne vetëm duhet ta mbajmë dialogun që të zhvillohet. Por, janë disa gjëra, për të cilat me ne nuk mund të bëhet kompromis”,
theksoi Xho Bajden, në intervistën eksluzive për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se beson se Rusia mund të lëvizë mbi pushtetin autoritar dhe politikën e jashtme konfrontuese, që ka mbizotëruar në Kremlin gjatë dekadës së fundit. (F. B.)
XS
SM
MD
LG