Ndërlidhjet

Organizatat joqeveritare që do të monitorojnë procesin e votimit në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, thonë se disa nga Komisionet Komunale Zgjedhore nuk po e kryejnë punën ashtu siç duhet për informimin e qytetarëve. Por, një gjë e tillë mohohet nga drejtues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ata të Komisionit Komunal Zgjedhor.


Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që do të monitorojë procesin e votimit, kritikon disa nga Komisionet Komunale Zgjedhore se nuk po i kryejnë punët e tyre ashtu siç është paraparë me Ligjin për zgjedhje.

Sipas Ismet Kryeziut, nga “Demokracia në veprim”, Komisionet Komunale Zgjedhore, po vonojnë në informimin e duhur të votuesve për zgjedhje.

“Profesionalizmi i KKZ-ve është një vështirësi, e cila po haset çdo ditë. Ka komuna ku KKZ-të nuk mbajnë mbledhje të rregullta, janë të vonuara në edukimin e votuesve, në shpjegimet për votuesit se cilat janë vendvotimet ku ata duhet të votojnë, se si duhet të votojnë dhe të gjitha ato që qytetari i ka të nevojshme për të ditur se si duhet të votojnë dhe për të qenë i pajisur me të gjitha njohuritë e nevojshme për të votuar më 15 nëntor”,
thotë Kryeziu.

Zoti Kryeziu shprehet se komunat, të cilat kanë mbetur prapa në punët e tyre janë Graçanica, Skënderaj dhe Vitia.

Mirëpo, Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Vitisë, Skënder Hoda, i hedh poshtë deklaratat e tilla.

Ai thotë se që kur janë emëruar drejtuesit në Kuvendet Komunale Zgjedhore, të gjitha takimet janë mbajtur me kohë dhe se nuk ka vonesa në punën e tyre.

“Le t’i vërtetojnë, le të binden dhe të argumentojnë që kanë qenë dhe nuk kanë marrë informacione, apo që nuk e kanë kryer punë ashtu si duhet në afatin kohor”.

“Ne e kemi raportimin e përditshëm në KQZ, çdo punë dhe aktivitet. Tani jemi në vlugun e punëve të subjekteve politike që kanë për obligim t’i paraqesin tubimet e tyre. Do të thotë, nuk është e vërtetë ajo as zero për qind”
, thekson Hoda.

Edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se KKZ-të janë emëruar me kohë dhe se, sipas tyre, nuk ka vonesa në përgatitjet që duhet të bëhen për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, mohon të ketë informata në lidhje me parregullsitë në KKZ.

“KKZ-të janë emëruar me kohë, ashtu siç ka kërkuar ligji dhe unë nuk kam informata se ka ndonjë ngecje, ose vonesë në punën e tyre. Sekretariati pranon raporte të rregullta nga këto komisione dhe unë, deri tash nuk kam ndonjë informatë për ndonjë punë negative, ose për ndonjë vonesë të tyre”, pohon Lushta.

Në anën tjetër, Hoda u vë një barrë të përgjegjësisë edhe vetë qytetarëve në lidhje me informimin për procesin e votimit.

“Për ata që janë të painteresuar, ne e kemi të pamundur të shkojmë në rrugë e t’i ndalim; në kafiteri apo në shtëpi. Sa për informim të vëzhguesve dhe të opinionit në përgjithësi, kemi pasur periudhën e konfirmimit dhe sfidimit, e cila ka zgjatur nëntë ditë punë”.

“Është për t’u çuditur se nuk e ka parë të arsyeshme asnjë qytetar, asnjë subjekt, asnjë OJQ, asnjë vëzhgues, e as ata që janë të emëruar në procese, të jetë interesuar për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore! Ne, në komunën tonë, nuk e kemi pasur asnjë interesim nga askush”
, shprehet Hoda.

Sipas zyrtarëve të KQZ-së, mbi 264 mijë karta postare u janë dërguar votuesve të rinj dhe atyre që u është ricaktuar qendra për të konfirmuar se në cilin lokacion të votimit janë caktuar për të hedhur votën e tyre.

Po ashtu, në KQZ thonë se të gjithë qytetarët kanë pasur mundësi që t’i kontaktojnë Zyrat e Shërbimit Votues, për të parë nëse gjenden në listën e votuesve, apo për të bërë ndryshimet eventuale të qendrës së votimit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG