Ndërlidhjet

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të bëhet në vitin 211, thonë zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike. Sipas tyre, kjo është kërkesë e organizatave ndërkombëtare që merren me këtë çështje, por me këtë arsyetim nuk pajtohet ish-ministrja Melihate Tërmkolli.


Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet në vitin 2011.

Kështu thonë zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike, duke shtuar se një gjë e tillë pason rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.

Zëvendësministri i Administratës Publike, Rifat Blaku, thotë se pavarësisht vullnetit të institucioneve që regjistrimi të bëhet në këtë vit, Komisioni Evropian dhe “Eurostati” kanë rekomanduar që regjistrimi i popullsisë së Kosovës të bëhet në të njëjtën kohë me regjistrimin e popullsisë të shteteve tjera evropiane.

“Është një kërkesë e ‘Eurostatit’ dhe të gjitha organizatave që merren me këtë problem, se nuk duhet të shikojmë në mënyrë njëdimensionale, sepse me këtë Kosova, si shtet i ri, do të hyjë në kontinuitet sikurse të gjitha shtetet e Evropës, që në çdo dhjetë vjet të bëjë regjistrimin
”, thotë Blaku.

Por, me këto arsyetime nuk pajtohet Melihate Tërmkolli, ish-ministre e shërbimeve publike.

Ajo thotë se institucionet kompetente duhet të marrin parasysh faktin se shtetet tjera të Bashkimit Evropian, regjistrimin e popullsisë e kanë bërë në vitin 2000, ndërkaq Kosova që nga viti 1981 nuk ka pasur regjistrim zyrtar të popullsisë, të ekonomive familjare dhe objekteve.

Megjithatë, ajo përmend dy probleme, që, sipas saj, po e zvarrisin këtë proces.

“I pari është problemi procedural edhe i dyti është ai esencial. Problemi procedural ka të bëjë me përgatitjet, të cilat janë kryer kaherë dhe çdo vonesë krijon shpenzime shtesë”.

“Ndërsa, arsyeja tjetër, që është më esenciale, ka të bëjë me aspekte politike, të cilat, për mendimin tim, lidhen me decentralizimin dhe nuk kanë shprehur gatishmëri për ta bërë regjistrimin e popullsisë në kohën e duhur”,
thekson Tërmkolli.

Sikur të realizohej vetëm me kërkesën e palës kosovare, sipas Blakut, regjistrimi i popullsisë do të konsiderohej i dështuar si proces.

“Ndërkohë, mbajtja e njëanshme e regjistrimit, vetëm me kërkesën e palës kosovare, Entit të Statistikës dhe ekspertëve tanë, e bënte projektin dhe rezultatet e regjistrimit të papranueshëm sipas kritereve dhe standardeve evropiane”.

“Janë fonde dhe buxhet i madh që premtohen nga ‘Eurostati’ dhe shtetet tjera evropiane, dhe të gjitha këto kanë ushtruar ndikim që ky projekt të shtyhet”,
shpjegon Blaku.

Ndryshe, Melihate Tërmkolli përmend pasojat e mosregjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

“Është një dëm shumë i madh për Kosovën; dëm shumë i madh për aspektin zhvillimor të vendit, sepse me regjistrim merren të dhënat, mbi të gjitha, për aspektet zhvillimore të vendit, për gjendjen ekonomike, për popullsinë, për varfërinë, për ekonominë, për vendbanimet për shkollimin, arsimimin dhe shëndetësinë. Dhe, mbi këto baza krijohen plane dhe strategji zhvillimore”, shprehet Tërmkolli.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës në konsultim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, do t’i propozojnë Kuvendit datën për regjistrimin e popullsisë. Kuvendi, më pas, pritet që të dalë me një datë për regjistrim.

Regjistrimi i fundit i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave në Kosovë është bërë para 28 vjetësh.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG