Ndërlidhjet

Gara për Graçanicën


Në Graçanicë, tashmë ka filluar fushata parazgjedhore e kandidatëve për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen më 15 nëntor në Kosovë.




Komunat e reja me shumicë serbe, sipas Planit të Ahtisaarit, do të kenë kompetenca shtesë në disa fusha dhe tashmë fushata parazgjedhore për pushtetin lokal në Graçanicë, një prej komunave të reja me shumicë serbe, është duke u zhvilluar nga subjektet politike, të cilat në vazhdimësi po i ftojnë qytetarët serbë që të dalin në votime.

Disa politikanë lokalë tashmë kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje dhe kanë filluar fushatën parazgjedhore, duke organizuar tubime dhe duke i vizituar shtëpitë e qytetarëve serbë, për t’i bindur ata që të dalin në zgjedhje dhe, njëkohësisht, po shpalosin programet e tyre.

Bojan Stojanoviq, drejtuesi i Grupit parlamentar të Partisë së Pavarur Liberale në Kuvendin e Kosovës dhe kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës, thotë se me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët ndërtojnë të ardhmen e tyre në territorin ku jetojnë.

“Qytetarët e Graçanicës duhet të dalin në zgjedhje, sepse duhet të ndërpritet koha e botëve virtuale. Porositë e caktuara nga Beogradi nënkuptojnë çështjet e statusit, ndërkaq ne mendojmë për gjëra praktike. Megjithëkëtë, nuk mund të fshihemi 10 vjet pas asaj që nuk dëshirojmë”.

“Duhet të thuhet qartë ajo që dëshirohet. Do të thotë, duhet të dërgojmë porosi të qartë se ne jemi të vendosur që të mbesim këtu, se nuk do të shkojmë askund dhe se kjo është mënyra më e mirë që të luftojmë për të drejtat tona dhe t’ia krijojmë vetes ardhmërinë”,
thotë Stojanoviq.

Ndërkaq, Momçilo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, e, po ashtu, kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës, konsideron se tashmë janë krijuar kushtet për daljen në zgjedhje të serbëve të Kosovës, për të krijuar vetëqeverisjen lokale.

“Me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, për të parën herë serbët kanë rastin që të bëhen subjekt politik. Deri më tash, qoftë edhe për gjërat nga jeta e përditshme, serbët e Kosovës kanë pritur përgjigje nga Beogradi”.

“Kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, ia kanë lënë fatin në dorë njerëzve, të cilët megjithatë nuk e dinë se çfarë po ndodh këtu dhe sikur me ndonjë mjet dirigjues nga distanca, ata kanë dirigjuar me jetën e përditshme të njerëzve”.

“Kur e them këtë, nuk mendoj se serbët duhet të heqin dorë nga Serbia, por ata duhet t’i zgjidhin çështjet e nivelit të dytë, e kjo është jeta reale”,
thekson Trajkoviq.

Ndryshe, këta dy kandidatë për kryetar të komunës së Graçanicës premtojnë përmirësim të kushteve të jetës dhe zhvillim të kësaj komune.

Bojan Stojanoviq thotë:

“Ne do të përpiqemi t’i përmirësojmë kushtet dhe standardin e jetesës, si dhe të krijojmë rrugën drejt një vizioni për një të ardhme më të mirë të serbëve në Graçanicë”.

“Ne e kemi përmbledhur këtë në disa pika: ulja e shkallës së papunësisë, infrastruktura, sundimi i ligjit, përkujdesja për të moshuarit, forcimi i identitetit kulturor, zhvillimi i marrëdhënieve ndërnacionale, pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në rrjedhat shoqërore, si dhe përkujdesje e veçantë për fëmijët”.


Ndërkaq, Momçilo Trajkoviq thotë se posedon strategjinë dhe kuadrot për zhvillimin e Graçanicës.

“Komuna e Graçanicës do të shpallet komunë ekologjike dhe agrare. Ky do të jetë themel për zhvillim të mëtutjeshëm. Ne nuk kemi industri, por kemi tokën, fshatarët dhe prodhimet bujqësore, dhe këtu duhet të ndihmojmë. Në këtë kuptim, ne kemi projektin për agro-Graçanicën”, thekson Trajkoviq.

Në anën tjetër, ndonëse ende nuk është arritur një gatishmëri e përgjithshme e serbëve të Graçanicës për të dalë në votime, disa qytetarë theksojnë nevojën për të marrë pjesë në to.

Një qytetar serb nga Dobratini, i cili nuk parapëlqen të prezantohet, thotë se dyshon në suksesin e zgjedhjeve, ndërkaq, sipas tij, problemi më i madh është se nëse nuk votohet, në pushtet mund të vijnë njerëz të padëshirueshëm.

“Ne do t’ju bëjmë shërbim atyre nëse nuk dalim në zgjedhje. Unë mendoj se duhet të dalim në zgjedhje, por duhet t’i gjejmë njerëzit e duhur për t’i votuar, të cilët dinë ta udhëheqin politikën, sepse këtë nuk mund ta bëjë çdokush”, shprehet serbi nga Dobratini.

Ndërkaq, Sonja Kitanoviq nga Graçanica thotë se do të dalë në zgjedhje.

“Unë jam për të dalë në zgjedhje. Le të shihet dhe le të dihet se edhe serbët jetojnë këtu. Nëse serbët nuk marrin pjesë, kjo do të nënkuptohet sikur ata nuk ekzistojnë. Ne shpresojmë për diçka më të mirë dhe se gjithçka do të zhvillohet në bazë të ligjit’, përfundoi zonja Kitanoviq.
XS
SM
MD
LG