Ndërlidhjet

Roli i mediave në regjimet autoritare

  • Heather Maher

Një vit pasi Twitter dhe Facebook i katalizuan lëvizjet protestuese në Iran dhe Moldavi, regjimet autoritare në botë shpalosën mjete të reja për kontrollin e internetit.


Teknologjitë e reja si Twitter, Facebook dhe You-Tube kanë hapur një dritare të re lirie për njerëzit që jetojnë në shoqëritë e mbyllura në mbarë botën.

Duke i këmbyer informatat me bashkëqytetarët e vet, duke transmetuar video në internet, apo duke postuar lajme që nuk kontrollohen nga shteti, avokatët e demokracisë e kanë përkrahur teknologjinë e re.

Përmes saj, ata organizojnë protesta, rekrutojnë të tjerët për kauzën e tyre, e nxjerrin në shesh korrupsionin dhe i hedhin dritë abuzimit të të drejtave të njeriut.

Kur verën e kaluar në Iran shpërthyen protestat masive kundër zgjedhjeve presidenciale, për të cilat shumë njerëz besonin se u manipuluan në favor të presidentit Mahmud Ahmadinexhad, lajmet për demonstratat dhe shtypjen e tyre të përgjakshme nga ana e qeverisë, dolën nga vendi përmes Facebook-ut, You Tube-it dhe Twitter-it.

Gazetarëve iu ndalua të raportojnë për protestat, kështu që iranianët vendosën që t’i thonë botës se çfarë po ndodh.

Madje, edhe lideri i opozitës, Mir Hosein Musavi, u drejtohej ithtarëve të tij përmes Facebook-ut.

Aftësia e teknologjive të reja për t’i kapërcyer censorët e qeverisë, ka tërhequr edhe vëmendjen e ligjvënësve në Uashington.

Paneli i Kongresit për të Drejtat e Njeriut, Komiteti i Helsinkit i SHBA-së, së fundi i kërkoi një grupi të ekspertëve të teknologjisë të raportojnë se në ç’mënyrë po e transformon media aktivitetin social dhe shoqërinë civile në vendet me regjime shtypëse.

Ç’është me rëndësi, ata pyetën si mund të ndihmojë Qeveria amerikane?

Nathan Frietas është ekspert për zhvillimin e softuerit, i cili, pos tjerash, ka shpikur teknologjinë, e cila u lejon njerëzve që t’i shkëmbejnë të dhënat përmes celularëve, apo rrjetave pa tela.

Ai, gjithashtu, është aktivist i vjetër social, që ka ndihmuar organizimin e protestave pro-demokracisë në Shtetet e Bashkuara, Tibet dhe Indi.

Frietas, madje, hartoi një lëndë të re të quajtur “Aktivizimi social me përdorimin e teknologjisë mobile”, e cila mësohet në Universitetin e Nju-Jorkut.

“Kam ardhur si përfaqësues i teknologjisë pa tela dhe i avokatëve të mediave, të cilët besojnë se shpikjet më të jashtëzakonshme të gjeneratës sonë duhet të përdoren jo vetëm për të siguruar mirëqenie, por edhe për të bërë diçka të mirë në botë”,
thotë Frietas.

Ai shton se dështimi i Revolucionit të Shafranit në Birmani, në vitin 2007, në të cilin murgjit dhe qytetarët protestuan paqësisht disa ditë me radhë kundër juntës ushtarake, ishte e para herë që bota e kuptoi se si teknologjia e re mediatike mund t’i shpërthejë barrierat e imponuara nga qeveria.

“Ajo që fascinon për ngjarjet në Birmani në vitin 2007, ishte lindja e video-gazetarit, njeriut me një kmerë në dorë, i cili mesazhin e tij ua transmetoi përmes internetit kompanive të mëdha mediatike”,
thekson Freitas.

Mirëpo, edhe autoritetet po ndërmarrin hapat e tyre në drejtim të kundërt për ta penguar rrjedhjen e informatave.

Në Rusi, liria e internetit po shënon rënie, sepse zyrtarët shtetërorë vazhdimisht bëjnë presion për t'i bllokuar disa faqe të caktuara në internet.

Në Bjellorusi, autoritetet i mbikëqyrin dhe i regjistrojnë shfrytëzuesit e internetit, kurse në Kinë, ku shfrytëzuesit mund të dënohen edhe me burg, disa faqe interneti janë rregullisht të bllokuara.
(V.P.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG