Ndërlidhjet

Rasti “Tisa”: Katër të dyshuar


Lumi Tisa
Lumi Tisa

Autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë identifikuar katër persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, lidhur me kalimin ilegal të një grupi kosovarësh nga Serbia për në Hungari.


Policia e Kosovës ka identifikuar katër persona të dyshuar për përfshirje në trafikim me qenie njerëzore, në lidhje me rastin e kalimit ilegal të kufirit Serbi-Hungari të një grupi prej rreth 19 personash nga Kosova.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, pa përmendur emra konkret, thotë se Policia e Kosovës ka arritur t’i gjejë katër personat, të cilët dyshohet të kenë qenë pjesëmarrës në organizimin e kalimit të kufirit përmes lumit Tisa në Hungari.

“Lidhur me ngjarjen tragjike, e cila ka ndodhur në lumin Tisa të Hungarisë, Policia e Kosovës falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet policore hungareze dhe falë bashkëpunimit të mirë me qytetarët e Kosovës, si dhe zhvillimit të hetimeve intensive, ka arritur që të bëjë identifikimin e katër personave të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore. Mund të themi se te dyshuarit janë shtetas të Republikës së Kosovës”,
deklaron Kelani.

I pyetur se cilave rajone të Kosovës u përkasin të dyshuarit, Kelani shprehet:

“Katër të dyshuarit i përkasin katër rajoneve të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe janë shtetas të Kosovës”.


Ditë më parë u bë e ditur se edhe autoritetet e misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, do të kryesojnë hetimet për rastin Tisa.
Pra, një prokuror i EULEX-it dhe dy policë hetues kosovarë do të udhëtojnë për në Hungari, për të hetuar rastin e mbytjes së, të paktën, tre shtetasve kosovarë në lumin Tisa.

Policia e Kosovës njoftoi se dy zyrtarët policorë të shtyllës së hetimeve, së bashku me prokurorin e rastit, tashmë janë nisur për të udhëtuar përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për në Hungari.

Ngjarja në Tisa cilësohet si shqetësuese nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Prishtinë.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Pajazit Nushi, thotë se zhvillimet në këtë drejtim janë vlerësuar si negative nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Prishtinë, Budapest dhe Beograd.

“Këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë të dënueshme dhe të papranueshme nga ana penale dhe nga ana e së drejtës civile”.

“Kjo gjendje e vështirë e këtyre qytetarëve që kanë ndërmarrë një rrugë kaq të rrezikshme është e përforcuar nga ana e atyre trafikantëve që nuk kursejnë asgjë për të përfituar diçka”,
thotë Nushi.

Ai shton se hetimet ndaj veprimtarisë dhe organizimit të trafikimit me qenie njerëzore, vështirësohen varësisht nga natyra e këtyre rasteve.

“Aktiviteti i këtyre organeve dhe i individëve që merren me trafikimin e qenieve njerëzore është jashtëzakonisht i fshehtë dhe shumë i vështirë për t’u hetuar me kohë dhe për ta prerë këtë aktivitet që në nisje të vet”
, thekson ai.

Deri më tash, është konfirmuar identifikimi i tre personave të vdekur dhe i tre të tjerëve që kanë shpëtuar gjatë kalimit ilegal të kufirit përmes lumit Tisa.
XS
SM
MD
LG